Në Morinë protestohet kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për certifikatën me tri vaksina

Në Morinë protestohet kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për certifikatën me tri vaksina

Qytetarët e Kukësit do të protestojnë sot në pikën kufitare në Morinë.

Protesta do të jetë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimit me të tri dozat e vaksinës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10:00 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

Vendimi i qeverisë po kundërshtohet edhe nga Maqedonia e Veriut.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, shprehet se është befasuar kur ka dëgjuar se autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë marrë një vendim të tillë.

Vaksina anti-COVID’19

“Vendimi i fundit i autoriteteve shëndetësore kosovare na befasoi dhe nuk e kuptoj arsyen për një masë të tillë”.

Masat e reja janë të pakuptimta për Grubin pasi siç thotë ai, e njëjta gjendje epidemiologjike është edhe në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

“Situata shëndetësore është e njëjtë si në Kosovë dhe në Maqedoni të veriut apo edhe në Shqipëri, ndërsa OBSH dhe vendet perëndimore po shqyrtojnë largimin e kufizimeve”, ka thënë Grubi për Shqip-in.

Më tej, zv/kryeministri shpreson që Kosova ta heqë këtë masë dhe të rikthehen parapraket.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta shqyrton këtë vendim gjatë javes që vjen dhe do të rikthehen masat paraprake”, përfundon Grubi.

Rastet me coronavirus në Kosovë janë rritur dukshëm ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, brenda 24 orëve në nivel vendi ka vdekur një një person i infektuar me SARS-CoV-2, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 957 raste pozitive.

Aktualisht në Kosovë janë 17 mijë e 743 raste aktive me COVID-19./Insajderi.com