Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të hedh në votim rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila synon të shfuqizojë vendimin për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, njofton Insajderi.
Me këtë rezolutë, po ashtu synohet që Kuvendi i Kosovës kërkon të mos pengojë punën e Task-forcës brenda Policisë së Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se kjo pikë do të shqyrtohet në ndonjë nga seancat e radhës, meqë në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm 20 deputetë.
Në pikën e tretë të kësaj rezolute të iniciuar nga Fatmire Kollcaku-Mullhaxha, thuhet se kuvendi dënon çfarëdo presioni apo ndikimi që ushtrohet mbi punën e policisë dhe sistemit të drejtësisë që kanë për qëllim pengimin e luftimit të korrupsionit./Insajderi.com