Në Pekin për Shqipërinë e Madhe

Në Pekin për Shqipërinë e Madhe

Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një forum të mbajtur në Pekin të Kinës, në bisedimet e tyre kanë përmendur edhe përpjekjet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Medium serb B92 përmes informatave nga burime të ndryshme ka raportuar që Putin dhe Vuçiq janë takuar në Pekin dhe kanë biseduar për situatën politike në regjion.

E përditshme citon burime pa emër të cilat kanë thënë që Putin dhe Vuçiq, gjatë një darke të organizuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, “kanë konsideruar deklaratat kërcënuese që po rriten dhe po vijnë nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Ballkan”, dhe “kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke vlerësuar që një retorikë e tillë pasqyron një konflikt potencial”.

Vuçiq ka marrë pjesë si përfaqësues i delegacionit serb në Forumin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Pekin, me ç’rast delegacioni ka nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi me kompani të ndryshme kineze për infrastrukturë, industri dhe edukim.

Ky forum është mbajtur si pjesë e prezantimit të një strategjie nga ana e Kinës për një plan të ri në mënyrë që të bëhet lidhja e Azisë me Evropën përmes rrugëve të reja tregtare me infrastrukturë të re.