Në përvjetorin e nisjes së luftimeve të NATO-s, i ndahet medalje “Urdhëri i Lirisë” pilotit Peter Tankink

Në përvjetorin e nisjes së luftimeve të NATO-s, i ndahet medalje “Urdhëri i Lirisë” pilotit Peter Tankink

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Grajçevci, ka ndarë medaljen “Urdhëri i Lirisë”, pilotit të Forcave Ajrore Holandeze, Peter Tankink, në përvjetorin kur ka nisur NATO luftimet, njofton Insajderi.

22 vite më parë, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.

“Së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë në tokë, NATO arriti ta largojë pushtuesin serb nga Kosova, pas 78 ditë bombardimesh”, ka shkruar Graiçevci.

Tankink kishte marrë pjesë si pilot në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në vitin 1999.

“Sot, ndërsa kujtojmë vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që e vunë veten në rrezik për të na ndihmuar në orën tonë më të vështirë. Njëri ndër ta është piloti trim i Forcave Ajrore Holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, luftoi në qiellin e Kosovës me avionin e tij F-16, duke rrëzuar një avion të armikut, MiG-29 serb”, ka shkruar Graiçevci në Facebook.

Ai theksoi se me gjestet trimërie, Kolonel Tankink ka fituar respektin dhe mirënjohjen.

“Në dhjetorin e vitit të kaluar, kisha nderin e veçantë që t’ia dorëzoja Medaljen presidenciale, “Urdhëri i Lirisë”, ka shtuar tutje. /Insajderi.com