Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, Ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, sot përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, tha se sa herë në Gadishullin ILIRIK kanë lëvizur forcat perëndimore, qofshin ato administrative, politike, ekonomike apo ushtarake, shqiptarët janë ndier të sigurt.
“Tani ardhja për të ndihmuar në sistemin e drejtësisë, do të na bëjë të ndihemi mirë dhe të sigurt se do të vendosim sistem të drejtë gjyqësor”, ka shkruar Mustafa.
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën e luftës “Remi” është ftuar për intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.
Sipas avokatit, Rrustem Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë.
“Kjo është ftesë për intervistim”, ka sqaruar Arianit Koci në një postim në profilin e tij në “facebook”.
“Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”, ka theksuar avokati Koci, duke kërkuar nga gazetarët që të mos e kontaktojnë Rrustem Mustafën rreth kësaj çështjeje.
Gjatë luftës së viteve 1998-99, Rrustem Mustafa ka qenë në krye të Zonës Operative të Llapit.
Pas luftës, Mustafa ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Gjykata e Hagës, themelimi i të cilës është votuar në Kuvendin e Kosovës, pritet të gjykojë disa krime të luftës për të cilat pretendohet se janë kryer nga njerëz të UÇK-së.
Në vitet e pasluftës, Rrustem Mustafa ishte gjykuar dhe dënuar me burg për krime lufte, të cilat pretendohej se u kryen në zonën që ishte nën përgjegjësinë e tij.