Në Prizren mbyllen 6 subjekte të lojërave të fatit dhe gjobiten me 30 mijë euro

Në Prizren mbyllen 6 subjekte të lojërave të fatit dhe gjobiten me 30 mijë euro

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se në Prizren janë mbyllur gjashtësubjekte të lojërave të fatit. Kjo ka ardhur pas lajmërimit në linjën e bashkëpunimit pa pagesë 0800 80 800, e cila është duke treguar rezultate në vazhdimësi.

Një qytetar nga komuna e Prizrenit përmes kësaj linje, ka raportuar se pas vizitave që i janë bërë disa subjekteve të lojërave të fatit, nga ana e inspektorëve të ATK-së, pronarët e këtyre subjekteve të nesërmen kanë rihapur lokalet e tyre, pavarësisht mbylljes së këtyre lokaleve nga ana e inspektorëve.

Si rezultat i këtij raportimi, Drejtoria e Lojërave të Fatit menjëherë ka ndërmarr aktivitete në teren, me ç’rast janë konstatuar shpërfillje e masave ligjore paraprake.

Veç tjerash, bëhet e ditur se ekipi i inspektorëve të cilët kanë vizituar këto lokacione, kanë hasur në vështirësi në njërën nga subjektet e lojërave të fatit, ku pronari i saj ka penguar inspektorët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Pavarësisht pengesave në kryerjen e punës zyrtare, inspektorët nga Drejtoria e Lojërave të Fatit kanë mbyllur 6 lokale, ku për njërin nga ta do të iniciohet kallëzim penal. Po ashtu, nga aktiviteti në fjalë janë lëshuar gjoba në vlerë prej 30,000 euro.