Drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi, ka reaguar pas deklaratave të asamblistit të pavarur, Bashkim Ndrecaj, i cili tha se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare praktikantet po kushtëzohen të dalin në dreka e darka, njofton Insajderi.
Në reagimin e saj, Kuqi ka thënë se këto pretendime të asambleistit do të merren me konsideratë dhe përgjegjësi nga ana e saj.
“Pretendimet e asambleistit të pavarur z.Bashkim Ndrecaj sot në mbledhjen e Asamblesë Komunale për keqperdorim te detyres nga ana e stafit nē QKMF-Suharekë do te merren me konsideratë te lartë dhe me pergjegjesi të madhe nga ana ime si Drejtoreshë. Nuk do të lejojmë askend të sfidojë vendin e shenjēt te punës dhe institucionin asnjëher, sidomos JO në këtë situatë kur po ballafaqohemi me pandeminë kur qytetari ka nevoje më së shumti për sherbime mjekësore”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.
Tutje, ajo ka paralajmëruar se ata që keqpërdorin detyrën do t’i dërgojnë në Komisionin Disiplinor dhe se do të ju japin dënimin e merituar sipas ligjit.
Ndërkohë, asambleisti i pavarur në komunën e Suharekës, Bashkim Ndrecaj, të mërkurën ka deklaruar në Asamblenë Komunale se “nxënëset që kryejnë praktikë në QKMF, të moshës rreth 15-16 vjeçare, u kërkohet të dalin në dreka dhe darka për me t’ua shkruar orët e praktikës”./Insajderi.com