Në QKUK përurohet shërbimi i rezonancës së gjirit dhe mamografi 2

Në QKUK përurohet shërbimi i rezonancës së gjirit dhe mamografi 2

Klinika e Radiologjisë  e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga dita e sotme do të ofrojë  shërbimin e Rezonancës së gjirit dhe mamografin 2 që do të ofrojnë shërbime gratë kosovare.

Me këtë rast,  drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Serbeze Kabashi- Muçaj, njoftoi se nga sot,  për herë të parë në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, do të fillojë të ofrohet shërbimi i kompletuar i  diagnostikës së gjirit, përfshirë Rezonancën e gjirit, mamografia, ultrazëri dhe biopsia e gjirit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili  theksoi se me përurimin dhe funksionalizimin e kësaj aparature pacientet nuk do të kenë nevojë të dalin jashtë institucioneve shëndetësore publike, por shërbimin do ta marrin brenda tyre.

Sipas tij, qëllimi  i Ministrisë së Shëndetësisë  është krijimi i kushteve që shërbimet shëndetësore të  ofrohen brenda institucioneve shëndetësore publike dhe pacientët të mos kenë nevojë të shkojnë jashtë vendi.

Ministri Ismaili, mes tjerash u shpreh se për këtë ka vullnet dhe gatishmëri dhe po punohet për të ndryshuar gjërat në të mirë të institucioneve  shëndetësore.

Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, theksoi se rëndësia e këtij shërbimi rritet edhe më tepër meqë përurimi po bëhet në muajin e luftimit  të kancerit të gjirit, përderisa përmes këtij shërbimi  diagnostikimi do të jetë shumë më i lehtë.

Ibrahim Rudhani, prodekan për shëndetësi në Fakultetin e Mjekësisë, tha se dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka përkrahur dhe do të përkrahë avancimet shkencore të profesionistëve shëndetësorë, e në këtë rast edhe atyre të degëve diagnostike.

Për pajisjen me mamograf të ri janë angazhuar dhe kanë mbështetur edhe gratë deputete të Parlamentit të Kosovës.