Tingëllon si një orkestrim i bukur sesi në të njejtën kohë me publikimin e Dosjes së Shefave në Insajderi, ku protagonistët e aferave korruptive vijnë nga Prizreni, po mbahet Festivali DokuFest tema e të cilit është pikërisht korrupsionit. Por është vetëm një rastësi. Kjo vetëm sa e bënë më të trishtë tregimin për Prizrenin e këtyre ditëve. Atje ku ‘Dosja e Përgjimeve’ ka qenë një nga temat më të diskutueshme të këtij edicioni të Dokufest.
Pak metra e ndajnë Kinemanë mbi Lum dhe objektin e Hidroregjionit Jugor, një nga kompanitë e shumta publike në vend.
Përderisa në ekranin e Kinemasë mbi Lum në Dokufest, këtë vit, po shfaqen filma kryesisht që lidhen me temën e korrupsionit, në institucionin që gjendet afër kinemasë, është zbardhur një aferë korrupsioni.
Publikimi i përgjimeve të shumta nga gazeta Insajderi si ‘Dosja e Përgjimeve’, ka ndodhur në të njejtën kohë kur festivali Dokufest po mban edicionin e tij të 15-të, me korrupsionin, si temë të festivalit.
Në një nga bisedat telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit shpaloset mënyra më të errët se kush duhet të jenë anëtarët e Bordit të Ujësjellësit të Prizrenit. Grabovci bashkë me Nijazi Kryeziun, nënkryetarin e PDK-së në Prizren, marrin vendimin përfundimtar, përtej kualiteteve të kandidatëve. Kriter për ta është vetëm nëse kandidati është i tyre. Biseda dëshmon se kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha është zgjedhur nga PDK-ja. Hoxha një kohë ka qenë edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.
Jo vetëm për këtë skandal, ‘Dosja e Shefave’ ka qenë një nga temat më të diskutuara në këtë edicion të Dokufestit, në panelet dhe debatet që janë mbajtur në kuadër të festivalit por edhe nga vetë vizitorët.
Në një anketim të kryer këto ditë në kuadër të debateve që po mbahen në oborin e Lidhjes së Prizrenit, të organizuara nga KFOS dhe Dokufest, ka dalë se ‘Dosja e Shefave’ ka qenë një nga temat për të cilat audienca ka votuar më së shumti si cështje për të cilat shqetësohet më shumti.
‘Dosja e Përgjimeve’ ka qenë edhe pjesë e debateve dhe diskutimeve mes panelistëve dhe audiencës duke shpërfaqur kështu nivelin e lartë të korrupsionit në vend.
Rasti i emërimit të anëtarëve në ndërmarrjen publike me bazë në Prizren, që doli të jetë ashtu sikurse ka propozuar shefi, nuk është lidhja e vetme e qytetit të Dokufestit dhe korrupsionit të shpërfaqur në ‘Dosjen e Shefave’.
Në një tjetër përgjim të publikuar në ‘Dosjen e Shefave’, lidhet përsëri me Prizrenin.
Madje me të parin e kësaj komune, Ramadan Muja.
Kryetari i qytetit – i cili u bë i njohur më shumë për shkak të festivalit Dokufest sesa për shkak të punës së komunës përkundër potencialeve dhe resursve turistike – është dënuar nga gjykata për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.
Muja e ka dërguar lëndën në Gjykatën e Apelit duke kundërshtuar dënimin por në asnjë moment duke mos dhënë dorëheqje.
Bazuar në një tjetër përgjim të publikuar në Insajderi, kryetari i kësaj Gjykate, Sali Mekaj është zgjedhur në këtë post, përmes një telefonate që Adem Grabovci e bënë me kushëririn e tij, Xhevat Grabovci.
Të dy Grabovcët janë zbuluar nga një përgjim i fundvitit 2011, duke komunikuar që Mekaj të bëhet kryetar.
Mekaj, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishte provuar ta nxirrte prej burgu një vrasës në këmbim të 20 mijë eurove dhe favoreve seksuale me gruan e këtij vrasësi.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për ndërmjetësim në biznesin e fajdeve për një të afërm të tij.
Mekaj ka qëndruar një kohë në paraburgim. Ai është i suspenduar nga pozita e kryetarit të Gjykatës si dhe nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, ndërsa Ramdan Muja ende është ende kryetar i komunës së Prizrenit.
Në mandatin e Mujës, pasojat e korrupsionit dhe papërgjegjësisë qeverisëse kanë marrë edhe jetë njerëzish, pasi një muaj më herët si pasojë e neglizhencës së Komunës së Prizrenit, një mur i një shtëpie të vjetër në Zonën Historike u shemb si pasojë e mos kujdesit nga autoritet lokale.
E në rrugën ku Xheneta Gashi, humbi jetën, tashmë janë vendosur gypa betoni si mbrojtje, teksa emri i vajzës 3-vjecare është i shkruar në njërin nga këto gypa si shenjë kujtimi.
Në të tjerë gypa është e shënuar “Dorëheqje”, por vetëm dorëheqja ka munguar./Insajderi.com
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” autoplay=”yes” maxwidth=”680″]