Në rrezik nga infektimi me COVID-19, por 12 orë në punë

Në rrezik nga infektimi me COVID-19, por 12 orë në punë

Me përhapjen e koronavirusit në vend, Policia e Kosovës, në kuadër të planit operacional, mori vendim që pjesëtarët të jenë në shërbim me orar 12 orësh, në mënyrë që të ketë prezencë më të madhe policore.

E gatshme të punojë në menaxhimin e situatës më krijuar me COVID-19, Policia e Kosovës vuri në dispozicion personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante.

Mbi tetë mijë të uniformuar të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh u angazhuan në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kritike kur shteti vendosi për kufizim të lëvizjes.

Duke u kujdesur për qytetarët , as policët nuk i shpëtuan infektimit me koronavirus.

Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Kosovës, që prej fillimit të pandemisë, janë infektuar rreth 500 pjesëtarë të PK-së, të uniformuar dhe staf civil dhe janë shëruar mbi 310.

Aktualisht me COVID-19 aktiv janë rreth 190 punonjës policie, ndërsa kanë humbur jetën nëntë pjesëtarë të PK-së, dy prej tyre staf civil.

Mimoza Hasani, zyrtare patrolluese në Policinë e Kosovës tregon se gjatë gjithë kohës të vetmen frikë e kanë pasur bartjen e mundshme të virusit të familjarët e tyre.

“E kemi pasur rutinë, 12 orë punë, nuk kemi pas shumë kohë me u marrë me frikën ose frika e vetme për ne ka qenë mos po e bartim virusin në familje, mirëpo edhe kjo ka kaluar sepse i jemi përmbajte nga fillimi udhëzimeve të Institutit të Kombëtar të shëndetësisë së Kosovës”, thotë ajo.

Që prej fillimit të pandemisë, ajo është në krye të detyrës dhe rutina e saj ka ndryshuar tërësisht ku pjesën më të madhe të kohës e kalon e veshur në uniformë. /Insajderi.com