Hoteleria vazhdon të jetë njëri nga sektorët më të prekur nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës për shkak të mbylljes dhe kufizimit të orarit të punës për shkak të pandemisë me Coronavirus, njofton Insajderi.
Kryetari i Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, Hysen Sogojeva, për KosovaPress thotë se në sektorin e hotelerisë janë bërë dëme të pariparueshme që arrijnë shifra të larta, ndërsa thekson se 90 për qind e punëtorëve si pasojë e pandemisë kanë mbetur të papunw.
“Është një prej bizneseve me të dëmtuara, në kuadër të kësaj mund të themi që për momentin është i pariparueshëm, nëse nuk ndërmerr Qeveria hapa konkretë. E ka kaluar miliardin, domethënë janë dëme të pariparueshme në qoftë se nuk intervenohet sa më shpejt. Ky sektor përfshin përmbi 25 mijë punëtorë dhe nëse flasim në përqindje, na del afër që 90 për qind për momentin janë jashtë sektorit. Problemi më i madh është që biznese e para po mbyllen ajo ato hoteliere dhe turistike. Edhe ashtu kanë qenë keq edhe tash kjo mbyllje i dëmton shumë më shumë, mirëpo ne kemi apeluar dhe apelojmë që, e para që të kalojë Ligji për rimëkëmbje ekonomike të kalojë sa më shpejt”, ka thënë Sogojeva.
Sogojeva thotë se kanë kërkuar nga Qeveria që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar paraprakisht me përfaqësuesit e shoqatave, pasi që siç thotë ai, shoqatat e dinë më së miri gjendjen aktuale në këta sektorë të rëndësishëm.
Ai tregon se përfaqësuesit e këtyre shoqatave sot patën një takim me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj për të diskutuar problemet me të cilat ata përballen.
“Unë sa dola prej takimit me ministrin Zemaj. Sot ishin tubuar të gjitha odat, edhe ekonomike edhe amerikane, gastronomet e të tjerë dhe u munduam të gjejmë zgjidhje se si të veprohet. Tash është caktuar Kosova në disa zona, në zona me ngjyra, ngjyra e kuqe, ngjyra e gjelbër dhe ngjyra e verdhe, dhe ato komuna të cilat janë në ngjyrën e kuqe ato janë të ndaluara rreptësishtë”.
Se gjendja në sektorin e hotelerisë nuk është aspak e mirë tregon edhe menaxheri i një lokali në Prishtinë, Xhevat Gogjufi. Ai thotë se në këtë lokal janë të punësuar 16 persona të cilët janë të varur nga kjo punë, ndërsa shprehet se mbyllja për shkak të COVID-19 do ta rëndojë edhe më tej gjendjen e tyre ekonomike.
“Masat për ne janë shumë të rënda pasi jemi 16 punëtorë që punojmë këtu, 16 familje. Edhe ashtu është rënduar gjendja e biznesit për shkak të klientëve, sepse edhe ata kanë vështirësi nga frika e pandemisë, kështu që gjendja është shumë serioze dhe shumë e rëndë për ne si biznese private. Për mbyllje unë nuk kisha preferuar se është gjendje shumë e rëndë, mund të dalë inspeksioni dhe të bëjë inspektimin e lokalit, por jo edhe zvogëlimin e orarit. Ne na bënë shumë dëme zvogëlimi e orarit. Po flitet jo deri në 18:00, jo deri në 20:00”, ka thënë Gogjufi.
Ai thotë se kanë respektuar të gjitha masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, derisa bënë lutje që të mos ketë mbyllje si pasojë e pandemisë me Coronavirus, pasi nga vetëm ky biznes do të mbesin 16 familje pa asnjë të ardhur.
Gogjufi ka thënë se në rast se bëhet thirrje, ai dhe i gjithë stafi do të dalin në protestë, duke i marrë me veti edhe familjet, vetëm për të përçuar mesazh tek Qeveria që të i ketë këto familje në përkujdesje, pasi që kërkesat janë shumë të mëdha.
Ndryshe, gjendja e rënduar me pandeminë dhe masat e reja antiCOVID-19 kanë shtyrë sot ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, për një takim me krerët e odave ekonomike, gastronomëve dhe odës hoteliere të Kosovës.
Ai i ka quajtur të arsyeshme shqetësimet e tyre, duke thënë se rekomandimet e marra gjatë këtij takimi do t’i diskutojë me kryeministrin Avdullah Hoti, në mënyrë që masat e marra nga Qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne./Insajderi.com