Në telefon me Lajçakun, për Kosovën

Në telefon me Lajçakun, për Kosovën

Menjëherë pas vizitës në Kosovë, Nikos Dendias, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, ka marrë telefonin për të zhvilluar bisedë me Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë.

Dhe menjëherë pas bisedës me Lajçakun, Dendias ka njoftuar në llogarinë e tij në Tëitter.

“Gjatë një bisede telefonike e informova përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak për bisedat gjatë vizitës time të fundit në Prishtinë”, ka shkruar Dendias në rrjetin social.

Dendias në Kosovë është takuar me krerët shtetërorë – kryeministrin Albin Kurti e presidenten, Vjosa Osmani. Gjithashtu, me homologën e tij nga Kosova, Donika Gërvalla.

Pas takimit me Gërvallën, në një paraqitje të përbashkët për media, greku tha se shteti i tij e mbështet dialogun Kosovë – Serbi në vazhdimësi, duke bërë thirrje që të intensifikohen përpjekjet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse.

“Greqia për dy dekada në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së”, pati deklaruar diplomati helen.

Vizita e Dendias në mediat në Greqi është prezantuar si një politikë e re e Greqisë për të forcuar raportet me Kosovën dhe mbase të vije edhe një njohje e shtetit të ri.

Gjithashtu, në Serbi për disa ditë rresht mediat kanë shkruar se Greqia është afër për të njohur Kosovën edhe për këtë po kujdeset të bëjë presion edhe presidenti amerikan, Joe Biden.

Por, nga zyra për media e MPJ-së greke, e kanë bërë të qartë se qasja e Greqisë është pozitive dhe në mbështetje për dialogun, porse qëndrimi për statusin e shtetësisë mbetet i njëjtë – “nuk e njohim Kosovën shtet”./Insajderi.com