Në temperatura të ulëta KEDS-i apelon për kursim të rrymës

Në temperatura të ulëta KEDS-i apelon për kursim të rrymës

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), po u kërkon qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike, ndonëse ditët e fundit temperaturat kanë shënuar ulje në vend, transmeton Insajderi.

KEDS të shtunën ka thënë se qytetarët po e shfrytëzojnë energjinë elektrike edhe për ngrohje dhe kjo ka shkaktuar mbingarkesa në rrjet duke rrezikuar furnizimin stabil.

Nga kjo kompani shprehen se është investuar vazhdimisht në modernizim të rrjetit dhe mirëmbajtje të tij, duke zgjeruar linjat dhe duke forcuar aktualet, por “kërkesa e tanishme e tejkalon dizajnin e rrjetit elektrik në disa lokalitete”.

“Kjo, pasi trasformimi i energjisë elektrike në energji termike është proces i dhunshëm dhe asnjë rrjet elektrik nuk është i destinuar për ngrohje. Në këto situata, në mënyrë që të kemi furnizim sa më të mirë dhe rrjeti ta përballojë më lehtë ngarkesën, apelojmë për kursim maksimal të energjisë elektrike”, thuhet në një apel të KEDS-it. /Insajderi.com