Banorët e Togos në Afrikë e kanë pritur me mallëngjim firmën e Presidentit të Turqisë Rexhep Tayip Erdogan për rikthimin e faljeve në kishën e “Shën Sofisë” në Stamboll.
Duke e cilësuar Erdoganin si lider të Afrikës dhe gjithë botës myslimane, togolezët kanë sakrifikuar dy dhi në nder të vendimit të marrë nga presidenti turk, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, njofton Insajderi.
Reagime të shumta në lidhje me vendimin e Erdoganit ka patur edhe në disa shtete të tjera të Afrikës dhe Azisë Qendrore, madje dhe në Shqipëri e kanë përshëndetur këtë ndryshim në Turqi duke theksuar se tani është Europa që do të kërkojë të integrohet në Anadoll dhe jo e kundërta.
Ndërkohë, ndryshe është pritur vendimi për ta rihapur si xhami “Shën Sofinë” në Perëndim. UNESCO i ka kërkuar Presidentit turk që të bëjë një hap pas në vendimin e tij me qëllim ruajtjen e “Shën Sofisë” si një thesar të kulturës botërore, ndërsa BE e ka cilësuar veprimin si ilegal dhe të njëanshëm.
Reagime gjithashtu ka pasur edhe nga Papa, i cili u shpreh se ndjehej i prekur nga ky vendim.
“Shën Sofia” u ndërtua si Katedrale ortodokse fillimisht, por në vitin 1453 u kthye në xhami nga Sulltan Mehmeti kur pushtoi Kostandinopojën.
Deri në vitin 1934 ajo funksionoi si xhami, deri kur Ataturku vendosi ta kthejë në muze. Vendimi i fundit i Erdoganit e kthen “Shën Sofinë” nga muze, sërish në xhami./Insajderi.com