Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, ka vlerësuar se vjeshta mund ta gjejë Kosovën por edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, në një valë të re të infektimit që do të shkaktojë varianti kolumbian i COVID-19 “Mu”, përcjell Insajderi.com.
Sipas saj, varianti “Mu” përhapet më lehtë dhe është më i fshehtë për t’u identifikuar dhe se simptomat nga ky variant nuk janë tipike.
“Varianti ‘Mu’ ka treguar në studimet e pakta që ekzistojnë deri tani se është akoma edhe më ngjitës dhe më infektues sesa ‘Delta’ dhe një fakt tjetër është më i fshehur sesa ‘Delta’, kështu që fakti që nuk e identifikojmë që në momentet e para tek pacientët e bën sëmundjen akoma më të rrezikshme dhe më vdekjeprurëse. […] Simptomat që shkakton variant ‘Mu’ nuk janë shumë tipike, janë të ngjashme me një ftohje shumë të lehtë e cila nga momenti në moment përkeqësohet pa pasur mundësi që mjeku ose edhe familjari për të shtruar në spital dhe për t’u trajtuar në kohë”, shprehet specialistja e mjekësisë familjare për KP.
Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës në fillim të kësaj jave i ka dërguar 282 mostra në një laborator në Gjermani për detektim të varianteve të reja me COVID-19, përkatësisht mutacionit “Mu”.
Rezultatet e këtyre mostrave pritet që të bëhen të ditura gjatë javës së ardhshme, teksa ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë se varianti “Mu” është më ngjitës dhe më i fshehtë.
Mikroboiologu, Xhevat Jakupi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se ky institucion nuk ka kapacitet për gjurmim të varianteve të reja të Coronavirusit, dhe se për këtë janë dërguar mostra në Gjermani.
Ai shtoi se dërgimi i këtyre mostrave në Gjermani është duke u bërë përmes Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve të Unionit Evropian.
“Brenda IKSHP-së nuk ka kapacitetet për sekuencionim të gjenomit të SARS-COV2 për këtë arsye ne mostrat në mënyrë të herëpashershme i dërgojmë jashtë Kosovës në laboratorët me të cilët kemi marrëveshje për këtë qëllim. 1’31 Në fillim të kësaj jave, të hënën më 6 shtator, i kemi nisur 282 mostra të tjera për detektim të varianteve për sekuencionim që pastaj do të rezultojë me informata se çfarë variante tani janë në qarkullim e sipër. Ne natyrisht e kemi në plan që këtë program ta shfrytëzojmë në maksimum dhe gjatë javëve të ardhshme, ne do të dërgojmë prapë mostra jashtë Kosovës”, tha ai për KP.
Jakupi thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk mund të bëjë detektimin e varianteve të Coronavirusit për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekspertëve të kësaj fushe.
Tutje, ai thekson se tashmë janë në proces të blerjes së pajisjeve që do të mundësojnë që në muajt e ardhshëm të nis detektimi i varianteve të reja dhe në Kosovë.
“Ne nuk kemi pasur pajisje për të kryer këtë proces të punës dhe gjatë vitit të kaluar ne kemi filluar blerjen e pajisjeve, e kemi blerë një pjesë të pajisjeve të nevojshme, brenda këtij viti ne kemi nisur edhe një proces tjetër të blerjes së pajisjeve që kanë munguar përveç asaj që kemi siguruar në vitin paraprak dhe ky procesi i tenderimit ka zgjatur mjaftë shumë.
Varianti ‘Mu’ është zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në janar të këtij viti. Ky variant është përhapur në 43 vende ndërsa raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se ‘Mu’ duket se është më rezistent ndaj antitrupave./Insajderi.com