Negociatat VV-LDK para dështimit

Negociatat VV-LDK para dështimit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur në një pikë kritike të negociatave për qeverinë e re.

Ndarja e pozitave po i vë në rrezik ato.

Një burim brenda takimit i ka thënë Insajderit se LDK ka vënë kushte që nuk po i pranon Lëvizja Vetëvendosje.

LDK e Isa Mustafës po i kërkon pesë ministri, të drejtën e zgjedhjes e para, me sistemin “një ne, një ju”.

Në të drejtën për zgjedhje po kërkon e para ta merr Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK nuk po “lëshon pe” as nga pozita e Presidentit dhe Kryeparlamentarit.

Vetëvendosje në anën tjetër nuk po pranon që Lidhja Demokratike e Kosovës ta merr MPB-në sepse heqje dorë nga kjo ministri s’e lejon ta realizojë premtimin për rend dhe ligj.

“Ajo çka po kërkon LDK, nuk po pranohet nga VV sepse në ndarje të pushtetit LDK po merr hise më shumë. Kjo po rrezikon negociata”, ka thënë një burim për Insajderin.

Albulena Haxhiu, aktiviste dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në tri legjislaturat e fundit, thotë se mosmarrëveshjet e pretenduara ndërmjet LDK-së dhe LVV-së lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë spekulime.

“Sa i përket këtyre lajmeve që po qarkullojnë, të cilat i dëgjova sot për Kryeprokurorin e Shtetit apo për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka pasur tërë ditën spekulime, megjithatë janë vetëm spekulime”, ka thënë Haxhiu në një bisedë telefonike me Insajderin.

Sipas Haxhiut, diskutimet ndërmjet dy partive me qëllim krijimin e koalicionit qeverisës pritet të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme.

“Pra, ne presim që edhe gjatë ditëve të ardhshme të takohemi me përfaqësuesit e LDK-së; në këtë rast me kryetarin, apo me ndonjë përfaqësues tjetër. Rrjedhimisht, kurdo që do arrihet marrëveshja ne do ta bëjmë publike atë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, nuk i ka komentuar kushtet e pretenduara të LDK-së ndaj LVV-së për ndarjen e pozitave qeverisëse.

“Krejt çka kemi pas të themi e kanë thënë liderët, për momentin s’kemi çka të shtojmë”, ka nënvizuar Veliu, në një bisedë me Insajderin të hënën në mbrëmje.

Rreth dy orë kanë diskutuar sot lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një takim që përfundoi pa marrëveshje për koalicionin qeverisës. Të dy liderët u zotuan se diskutimet do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme. /Insajderi.com