Nehat Thaçi pezullohet nga detyra e drejtorit të ShKK-së

Nehat Thaçi pezullohet nga detyra e drejtorit të ShKK-së

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, është pezulluar nga detyra, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur sot zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se sot kanë pranuar vendimin për pezullimin e tij nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

“Sot, kemi pranuar vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë për pezullimin nga detyra të z. Nehat Thaçi – Drejtor i Përgjithshëm i SHKK-së”, ka thënë Sallahu.

“Ditëve në vijim presim ftesat nga KShVD për prezantimin e fakteve tona që e mbështesin kërkesën tonë për shkarkimin e z.Thaçi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”, ka shkruar më tej ai.

Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Thaçin për çështjen, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Pezullimi i punës së Thaçit erdhi pas paralajmërimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu më datë 23 prill, e cila tha se ka kërkuar nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke kërkuar të vendosin për shkarkimin e tij.

Kjo si shkak i dhënies në shfrytëzim të një prone në Vushtrri nga SHKK.

“Para disa ditëve kemi pranuar në kabinet një njoftim për shkelje brenda Shërbimit Korrektues për dhënie në shfrytëzim të pronës, për një kompani që nuk i plotësonte kushtet. Bëhet fjalë për 2 ha tokë, kurse dje e kemi pranuar raportin e brendshëm të auditorit e cili e ka evidentuar këtë”, kishte thënë Haxhiu në një konferencë për media. /Insajderi.com