Nëna akuzon çerdhen në Prishtinë se ia torturoi fëmijën: Djalin e kam marr me shenja

Nëna akuzon çerdhen në Prishtinë se ia torturoi fëmijën: Djalin e kam marr me shenja

“Në momentin që e kemi marrë djalin nga çerdhja i ka mëshuar derës me krye. Ka pas shenja dhune dhe që nga ajo ditë, djali tërë natën i vendos duart në vesh dhe në kokë, trembet natën dhe zgjohet me të qara”, është ky rrëfimi i nënës Merita Hamidi-Cakolli, që dyshon se djali i saj O.C., u torturua në çerdhen “Lisarti M”, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ajo ka hapur rast edhe në polici. Ndërsa, drejtoresha e kësaj çerdheje, Zejnepe Mjeku, mohon të ketë ndodhur diçka e tillë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin për Gazetën Express. Ajo tha se policia po heton rastin dhe i njëjti po cilësohet si “Lëndim trupor”.

Nëna nga Prishtina, Merita Hamidi-Cakolli, ka dhënë versionin e saj, për ngjarjen e rëndë që sipas saj i ndodhi djalit të saj dy vjeç, pikërisht në çerdhen ku e kishte besuar mbikëqyrjen e tij.

“Djalin e kemi marrë prej kopshtit me shenja. Prej datës 20 kemi hapë rast në polici, tash është rasti në hetime. E kam me çu edhe te psikologu. Djalin e kom çu në atë kopsht qe një vit, edhe qato pak fjalë që i ka folë, tash më nuk është t’u i folë”, rrëfen nëna e të miturit.

Ajo thotë se vajza e tyre, fëmija i madh, e ka ndërprerë shkuarjen në këtë çerdhe që nga janari, për shkak se aty është edhe dhoma e dënimit. Ndërsa djali vazhdimisht kishte kundërshtuar me të qara për të shkuar në çerdhe.

“Po dyshojna shumë që e kanë mbajt edhe mbyllë, edhe vajza u kanë në atë çerdhe deri në janar. Prej janarit nuk ka dashtë me shkuar, se vajza thoshte aty është edhe dhoma e dënimeve e aty po dyshojmë që djalin e kanë mbajt shumë gjatë. Në momentin që e kemi marrë i ka mëshuar derës me krye, ka shumë trauma. Prej shkurtit djali veç qajke, nuk dojke me shkuar në kopsht. Por na hajt, mos nuk po i rrihet a apo diçka e till, por prej ‘Bajramit’ është përdorë torturë ma e madhe ndaj djalit”, thotë më tej nëna.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e çerdhes ku kjo nënë po dyshon se ia torturuan djalin.

Zejnepe Mjeku e mohon se rasti në fjalë ka ndodhur në çerdhen “Lisarti M” që ajo e drejton. Ajo thotë se shenjat në vesh fëmija i ka pasur pasi ka ardhur në çerdhe.

“Unë drejt me të thanë, qitu s’ka ndodhë ajo hiç, unë e kam dhanë edhe deklaratën në polici. Ajo është shumë e rrejshme, pasi ka ardhur në çerdhe fëmija, ia kemi pa ato lëndime në vesh. Ajo vetë e ka pru qashtu. Qaj send nuk ka ndodhë në kopsht”, thotë Mjeku.

Ajo tha se çerdhja është e licencuar dhe merret me këtë punë qe 8 vjet. Sipas saj, asnjëherë nuk ka ndodhur asnjë rasti i tillë në “Lisarti M”.

“Unë e mohoj, edhe me shumë të drejtë jam e bindur që këtu ajo nuk ka ndodhë. U dashtë me mu m’u konsultu, por në mënyrë të fshehur ka bo. Deri në fund të shkon kjo çështje, as vër zemra s’më bon. Një javë përpara e ka basë djalin sëmurë me antibiotik. Nuk jam person që i iku, qe 8 vjet jemi me qit punë, kurrfarë problemi nuk kemi pasë”, tha ajo.

Policia po merret me këtë rast. Flora Ahmeti nga zyra për informim në Polici tha se për këtë çështje janë duke u intervistuar disa persona.

“Rasti është hapë më 20 qershor në polici si ‘lëndim trupor’. Njësia e hetimeve është duke u marrë me rastin. Detaje të tjera nuk mund të japim sepse jemi në fazën e intervistimit të personave”, përfundoi Ahmeti.