Flet nëna që humbi vajzën – Familjarët kërkojnë drejtësi për Xhenetën

Flet nëna që humbi vajzën – Familjarët kërkojnë drejtësi për Xhenetën

Nëna që humbi vajzën e saj 3-vjeçare nuk mund të flas. As nuk mund të përmbahet nga lotët.

“Du me dek…”, tha ajo nëpërmjet telefonit, e kontaktuar nga Insajderi.

Vajza e saj, 3-vjeçare, Xheneta ka vdekur sot pasdite pasi është shembur muri i një shtëpie të vjetër, skaj një shtëpie po kaq të vjetër, në të cilën Liria (nëna e vajzës) ka jetuar së bashku me kunatën e saj Luljeta Bajraktari, e cila ka folur në emër të nënës, Lirie Gashi.

Liria së bashku me vajzën tjetër 10-vjeçare e cila është e lënduar, kanë shkuar në shtëpinë e familjes së saj në një fshat të Deçanit.

“Jemi te familja e Lirisë, dhe ajo është shumë keq. Shumë keq jam edhe unë sepse e kam pa tu dek çiken”, ka thënë Luljeta gjatë bisedës me Insajderin.

Ajo ka shpjeguar se asnjëherë Komuna e Prizrenit nuk është kujdesur për ta, që t’ia gjejë një shtëpi ose një vend të përkohshëm.

“Disa herë na kanë nxjerrë me dhunë nga ato shtëpi. Nuk kemi pas ku me shku”, ka thënë ajo.

Luljeta ka shpjeguar me pak fjalë edhe rastin e tragjedisë së ndodhur sot në Prizren, ku si pasojë e murit të shtëpisë në rrugën “Marin Barleti” në Prizren ka vdekur vajza 3-vjeçare.

“Kemi qenë duke qëndruar në rrugicë dhe vajza ka qenë duke lu afër shtëpisë, kur është shemb muri dhe e ka zënë gati krejt. Kemi qenë 6 veta aty dhe të 6-it kemi mujt me dek sot, por kemi shpëtuar”, ka thënë ajo, për Insajderin.

Luljeta ka thënë se nuk pret nga Komuna e Prizrenit që të japin përgjegjësi por do të kërkojnë drejtësi për Xhenetën.

“Qika ka dek masi që Komuna e ka lanë shtëpinë në atë gjendje. Dikush duhet me dhanë llogari për këtë vdekje. Është evlad i dikujt”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë Insajderi ka raportuar gjatë tërë ditës mbi ngjarjen tragjike të ndodhur sot në Prizren.

Komuna e Prizrenit akuzon Ministrinë e Kulturës se nuk ka bërë asgjë që të intervenojë në shtëpitë e vjetra që janë pjesë e trashëgimisë kulturore në Zonën Historike të Prizrenit.

Sipas tyre, Komuna ka pasur moti në plan që të shkatërrojë këto shtëpi të vjetra pasi paraqesin rrezik për banorët.

Ndërsa Ministria e Kulturës, ka akuzuar Komunën e Prizrenit për siç kanë thënë ata, mos reagimin e duhur nga Komuna që të ofrojë siguri rreth objekteve të trashëgimisë kulturore, që janë në rrezik të shembjes./Insajderi.com