Nënkryetari i AKR-së skeptik për marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së

Nënkryetari i AKR-së skeptik për marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi, është shprehur skeptik lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje koalicioni në mes të koalicionit LAA me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, arritjen e një marrëveshje të tillë po e vështirëson “barikadimi” i këtyre dy partive prapa interesave të tyre të ngushta partiake.

“Pozicioni i VV dhe LDK-së, në barikadimi e tyre në interesa partiake, po e bën të vështirë arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Matoshi në një intervistë për RTV Dukagjinin.

“AKR mendon që gjërat duhet të trajtohen në mënyrë më të sinqertë nga të gjitha palët. Që të arrihet një mundësi që të mbahet një shumicë shqiptare në kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se “jam skeptik se kjo do të bëhet, marrë parasysh qëndrimet e shprehura të LDK-së dhe VV-së”.

AKR ka kërkuar disa herë nga LDK dhe Vetëvendosje që të lëvizin në drejtim të formimit të Qeverisë. Në të kundërtën, kjo parti nuk e ka mohuar mundësinë që ta përkrahe koalicionin PAN.

Për më tepër, vetë Kadri Veseli nga koalicioni PAN ka thënë se do ta pëkrarahte Vetëvendosjen që ta formojë qeverinë, nëse arrin që t’i sigurojë 61 vota në Kuvend.

LDK dhe Vetëvendosje kanë filluar negociatat për përafrimin e programeve, por në ndërkohë zyrtarë të kësaj partie nuk kanë kursyer akuzat të ashpra ndaj njëri-tjetrit./Insajderi.com