“Askush në Kosovë më mirë se Ramush Haradinaj nuk mund ta përfaqësojë më mirë dëshirën e ndjenjave dhe vullnetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, e cila ka të bëjë me konsolidim të shtetësisë”.
Kështu është shprehur nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, në një video-mesazh të publikuar në faqen e këtij subjekti politik në Facebook, transmeton Insajderi.
Sipas tij, Kosovës i duhet sa më shpejtë “një shkëlqim i ri politik” dhe një president që do të përfaqësojë synimin dhe ndjenjat e të gjithë qytetarëve të vendit.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpallur kandidaturën e tij për president të vendit para se ish-presidentit Hashim Thaçi t’i konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale në Hagë.
Kundër propozimit të AAK-së janë deklaruar Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje./Insajderi.com