Nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj, ka lëshuar akuza në drejtim të NISMA’s për Kosovën dhe Fatmir Limajt, duke thënë se zyrtarët e kësaj partie po hanë me dy lugë.
E ka përmendur bashkëpunimin e Limajt me Thaçin si fakt se NISMA ka nisur ta konsiderojë partner Presidentin e Shtetit.
“Edhe disa nga këta zyrtarët e Nismës, kanë fillu të “hanë me dy lugë”! Edhe e akuzojnë rëndë Thaçin, edhe e kërkojnë partneritetin e tij!”, ka shkruar Nitaj, në një reagim në FB.
Këto komente deputeti i AAK’së i ka bërë duke folur për qëndrimet e partive në pushtet e opozitë lidhur me ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ka thënë se edhe LDK ka plot qëndrime të ndryshme për këtë temë, duke nisur nga Isa Mustafa e Lutfi Haziri.
“Isa Mustafa e ka një qëndrim për kufirin me Serbinë e zëvendësi i tij Lutfi Haziri një tjetër! Ky i fundit thotë “hajde po ndërrohemi! Tash cili nga këto qendrime është i LDK-së?!”, ka pyetur Nitaj.
Nitaj ka thënë se qëndrimet të ndryshme për temën e kufijve kanë edhe Veseli e Thaçi derisa vetëm një qëndrim ka AAK’ja.
Edhe vizitën e Vucicit në Kosovë, Nitaj e ka ndërlidhur me brishtësinë e qëndrimeve të liderëve për kufijtë e Kosovës.
“Të vetmit që janë konsistentë në qëndrimin e tyre për këtë temë, janë Kryeministri Haradinaj dhe AAK, megjithëse nuk e përjashtoj mundësinë që edhe ndonjëri në AAK, “ta pi duhanin msheft”. Tani në një situatë të tillë mos u befasoni pse jemi këtu ku jemi dhe mos u çuditni pse vizita e Aleksandër Vuçiqit, i qet në hije krejt ngjarjet tjera në Kosovë! Me qenë të mbarë e të mirë ishin marrë vesh kollaj- kufiri është në kufi dhe pikë!”, ka shkruar Nitaj.