Nënkryetari i Mitrovicës tregon se çfarë do të ndodhë me hotelin ku vdiq 28 vjeçari

Nënkryetari i Mitrovicës tregon se çfarë do të ndodhë me hotelin ku vdiq 28 vjeçari

Vdekja tragjike e Visar Behramit që ishte duke punuar në renovimin e një pjese të hotel “Adriatiku” në Mitrovicë, ka shtyer organet e kësaj komune të mendojnë për të ardhmën e këtij objekti që ia mori jetën 28 vjeçarit nga Mitrovica, shkruan Insajderi.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka ka thënë se do të japin rekomandime se çfarë do të bëhet me objektin që nuk është në pronësi të komunës, pasi që është privatizuar në vitin 2005.

“Ky objekt është privatizuar më vitin 2005 dhe deri më tani ka qenë pothuajse jo funksional. Ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marr vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorin e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo, duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga punëdhënësi as nga punëkryresi tani kjo çështje i takon prokurorisë dhe policisë”, tha Mujka.

Mujka thotë se komuna e Mitrovicës është e mendimit që ky objekt duhet të rrënohet.

“Neve na mbetet të japim një rekomandim se çka do të ndodh me objektin, siç e thash objekti nuk është në pronësi të komunës, është i privatizuar dhe ne mund te dalim me një rekomandim dhe sugjerim e cila pastaj pritet të marr dritën e gjelbër. Ne mendojmë se ai objekt duhet të rrënohet, por mandej duhet të shohim edhe anën ligjore. Në momentin që rrënohet ajo tokë i takon komunës së Mitrovicës”,  tha Faruk Mujka. /Insajderi.com