Nënkryetari i PDK-së: Qeveria nuk rrëzohet me fjalë

Nënkryetari i PDK-së: Qeveria nuk rrëzohet me fjalë

Ministri i Shëndetësisë dhe njëherësh nënkryetari i PDK-së Uran Ismaili ka reaguar nëpërmjet Facebook-ut në lidhje me një deklaratë të kreut të LDK-së Isa Mustafa i cili ka bërë thirrje për rrëzim të Qeverisë.

Ismaili ka thënë se Qeveria nuk rrëzohet kur udhëheqësi i saj dorëzohet duke përmendur kohën sa ishte kryeministër.

Sipas Ismailit, Qeveria nuk rrëzohet as kur kryetari i opozitës ka frikë të thërret seancë për mocion mosbesimi.

Ismaili ia ka kujtuar Mustafës kohën kur me Ministrinë e Shëndetësisë ka udhëhequr LDK-ja e që sipas tij dëmi që ka bërë kjo parti në shëndetësi është i pallogaritshëm.

“LDK-ja çdo ditë po dëshmon se është joserioze me opsionin e vet si alternativë qeverisëse. Paaftësia e saj për të udhëhequr brenda partisë po tregon se ajo nuk është e gatshme të udhëheq as vendin.

Koalicioni i Isa Mustafës i proklamuar me LVV-në dhe temat e proklamimit me fjalët e luftës kundër korrupsionit dhe flirtimi me njerëz partiakë të korruptuar janë ogur i zi për pikën kritike ku ka mbërrirë LDK-ja”, ka shkruar Ismaili.

Ismaili ka kritikuar qeverisjen e LDK-së në sferën e shëndetësisë. Ai ka thënë se politikat e tyre kanë qenë më shumë se të dëmshme për qytetarin.

“Të sëmurët e varfër kanë paguar ilaçe shumëfish më shtrenjtë dhe kanë marrë shërbime shëndetësore që nuk përkojnë me dinjitetin njerëzor. Udhëheqja e juaj ka prodhuar keqmenaxhime të barnave dhe ka sjellur spitale pranë rrënimit etj”, shkruan më tej ministri i shëndetësisë.