Nënkryetari i LDK-së: VV dhe AAK nuk janë fare opsion për koalicion

Nënkryetari i LDK-së: VV dhe AAK nuk janë fare opsion për koalicion

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, AAK-në si dhe PDK-në. Kështu ka bërë me dije nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.

Veliu ka hedhur poshtë zërat se partia e tij do të mund të bëjë koalicion me VV-në. Madje një gjë e tillë sipas Veliut nuk ekziston as si opsion.

“Vetëvendosja nuk është fare opsion në këtë moment për LDK-në, ndërkaq për koalicion parazgjedhor ne kemi diskutuar dhe kemi orientim me hy me ato parti që tani me dihet me të cilat kemi qenë në periudha të ndryshme, ndërsa Vetëvendosje, AAK e as PDK nuk janë fare opsion për koalicion”, ka thënë Veliu për Indeksonline.

Nënkryetari i LDK-së ka theksuar se vetëm pas zgjedhje organet e partisë do të ulën dhe të shikojnë rezultatet ku më pas do të dihet konkretisht se çka do të vendoset më tuje.

Ndërsa sa i përket kandidatit të ardhshëm për Kryeministër të Kosovës nga kjo parti, Veliu ka thënë se ende nuk është diskutuar brenda partisë kjo temë, pasi Kryetari Isa Mustafa tash më ka deklaruar se nuk do të jetë kandidat për Kryeministër nga radhët e LDK-së.

Ai gjithashtu ka thënë se ka vendosur të mos jetë as në listën e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, këto pohime ai i ka ripërsëritur dje në tubimin e këtij subjekti në Istog ku u shënua 27 vjetori i themelimit të degës së LDK-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 11 qershor dhe mbahen pasi është rrëzuar Qeveria e Kosovës, pas një mocioni të opozitës të mbështetur nga PDK’ja.