Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti është kujdesur që edhe njëherë përmes postimit të Facebook të thur lavde për partinë duke thënë se “PDK ka ideal dhe një ëndërr të madhe”.
“Vlerë dhe kapital për PDK-në, që nga formimi e gjer më sot, krahas kreativitetit të saj politik në rrugën e mbarështrimit dhe realizimit të agjendës njëqindvjeçare të popullit të Kosovës, ka qenë përpjekja e vazhdueshme e saj, titanike, për t’u ngritur mbi vetveten, për të reflektuar mbi gabimet e veta dhe për të dhënë shembullin e standardit të lartë të komunikimit me opinionin e gjerë, me partnerët e jashtë e të brendshëm politikë dhe jo vetëm, me shoqërinë civile, median, me individin dhe kolektivitetin e Republikës”, ka thënë Hoti përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook.
Por Hoti ka përdorur një shprehje të njohur të deputetes së Vetëvendosjes, ish-anëtares së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.
Kur ishte koha e bllokimit insitutcional nga opozita dhe protestat e dhunshme, Kadaj-Bujupi kishte thënë se “ne e kemi forcën e argumentit, ata e kanë argumentin e forcës”.
Të njëjtën gjë ka thënë edhe Hoti.
Sipas tij, “PDK ka besuar dhe vazhdon të besojë fuqishëm në forcën e argumentit, në gjuhën e kulturës politike të komunikimit dhe e kultivon në cilësinë e të paprekshmes privatësinë e individit, të familjes, të nënës, të gruas, të intimitetit.”.
“PDK beson fuqishëm në nismën qëllim mirë të çdo subjekti politik që respekton ligjet, Kushtetutën dhe shenjtërinë e Republikës së Kosovës. PDK është grupim vullnetar politik që beson fuqishëm edhe në të drejtën për të përmirësuar gabimet e veta ndaj vetvetes, ndaj partnerëve të saj apo ndaj konkurrentëve politikë”.
“PDK është subjekt politik që ka ideal dhe një ëndërr të madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: mundësinë e perspektivës për të gjithë dhe pa dallim”.
Nënkryetari i PDK-së ka thënë se partia ku ai bën pjesë do të futet në garën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 22 tetor shumë e përgatitur.
“PDK do të hyjë në garën e ardhshme politike të zgjedhjeve lokale me përkushtim të pashoq, me besimin e madhe në vetvete dhe në Zot, duke shpalosur vlerat më të larta që i duhen qytetarit të Republikës, për t’i shërbyer atij me besnikëri dhe në pajtimi me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”.