Sejdiu: Me dallavere nuk fitohet Prishtina

Sejdiu: Me dallavere nuk fitohet Prishtina

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetari i kësaj partie Dardan Sejdiu ka reaguar pas lajmit se KQZ ka gabuar në pasqyrimin e rezultateve preliminare nga dy vendvotime, e të cilat e zbusin diferencën mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit.

Ai ka akuzuar KQZ-në për dallavere.

“Tash e kuptova pse LDK e ka dërgu Sami Hamitin ne KQZ. Me dallavere nuk fitohet Prishtina. Prishtina ka vendosur me zemër”, ka thënë Sejdiu, në një prononcim të tij në Facebook.

KQZ-ja njoftoi sot për korrigjimin e rezultatit në Prishtinë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një njoftimit për media thotë se dëshiron të sqarojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me një gabim teknik që është bërë gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare, pasi është përmbyllur numërimi në Vendvotim.

“Në Vendvotimin 1921X/01R dhe në Vendvotimin 1921X/02R në komunën e Prishtinës, gjatë futjes së të dhënave të Rezultateve Preleminare janë shënuar gabim të dhënat të cilat më pas janë transmetuar në faqen zyrtare të KQZ-së, tek linku i Rezultateve Preleminare (Jo-Përfundimtare). Ky gabim është përmirësuar dhe do të paraqitet në linkun e rezultateve në faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.

Në paraqitjen e mbrëmshme në rezultatet preliminare diferenca në mes të Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit ishte për 307 vota në favor të këtij të parit. Diferenca pas këtij përmirësimi ka rënë në 237 vota. /Insajderi.com