Nënshkruhet marrëveshja për Aeroportin e Vlorës, Rama: “Moment më i rëndësishëm se vaksinat”

Nënshkruhet marrëveshja për Aeroportin e Vlorës, Rama: “Moment më i rëndësishëm se vaksinat”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë nënshkruar të martën marrëveshjen me kompaninë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin, për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, përcjell Insajderi.

Finalizimin e kësaj kontrate Rama e cilësoi si moment më të rëndësishëm se vaksinat, pasi që sipas tij, ndërtimi i aeroportit të Vlorës do t’i sjellë ekonomisë shqiptare një rritje të madhe.

Kreu i Qeverisë shqiptare bëri me dije se ky aeroport se do të jetë motor i ekonomisë shqiptare.

“Më besoni që ky për mua është moment shumë i rëndësishëm se vaksina, se më jep mundësinë të buzëqesh pas një përpjekje të gjatë më pengesa të shumta”, tha Rama.

Po ashtu, futja në garë e Pacollit, sipas Ramës ishte se ai donte të investonte diçka të madhe në Shqipëri.

“Behgjeti nuk gjeti rrugën e një telefonate me mua, për të thënë se donte të merrej me këtë punë, por hyri në garë dhe e fitoi atë me një konsorcium që i kap të gjitha kapacitetet”, shtoi ai.

Ndërsa ministrja Balluku, tha se brenda 14 muajve pritet të fillojnë punimet si dhe paraqiti fazat në të cilat do të kalojë projekti.

“Brenda 14 muajve, do të nisin punimet. Do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor dhe arkeologjik. Tetë muaj do të jenë në dispozicion për kushtet paraprake dhe, më pas, do të bëhet dorëzimi përfundimtar i projektit”, tha ajo.

Nënshkrimin e kontratës e ka komentuar edhe Pacolli, i cili ka thënë se kjo kontratë ka shumë rëndësi për të se ka ndodhur pas shumë kohe.

“Kam nderin sot, që jam si pjesë direkte e kësaj vepre, e këtij konsorciumi, kjo kontratë ka rëndësinë vetë se ndodh pas shumë kohe, dhe dëshirë që dhe unë kam pasur që ta bëjë këtu”, ka thënë i pari i AKR-së. /Insajderi.com