fbpx

Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe do të ishte milioner i korruptuar

Letër publike për një pjesë të qytetarëve të Kosovës që mbrojnë verbërisht komandantët e korruptuar të UÇK-së. Disa herë ne si shoqëri kemi diskutuar se kush ishin ata që hodhën baltë përgjatë viteve mbi shenjtërinë e UÇK-së. Baltë-hedhësit e vetëm janë ish-komandantët e korruptuar. Komandantët e korruptuar të UÇK-së duhet të luftohen nga kjo shoqëri për çdo ditë. Ia kemi borxh UÇK-së së lavdishme këtë betejë. Duhet të rebelohemi kundër tyre, e jo t’i amnistojmë krimet financiare të tyre

Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe do të ishte milioner i korruptuar

E keni menduar ndonjëherë se si do të ndiheshit nëse dikush do t’iu thoshte se, nëse Adem Jashari do të ishte gjallë, do të ishte një biznesmen i fuqishëm i pasluftës. Do të thoshte se komandanti legjendar do të ishte edhe pronar i Z-Mobile, kompanisë që u përfol shumë për përfshirje në afera korruptive. Ose edhe më keq – nëse sarkazma e bashkëbiseduesit tuaj nuk do të përfundonte me kaq, por do të përfshinte edhe heronjtë tjerë të UÇK-së.

Do të thoshte se Hamëz Jashari do të ishte një nga pronarët më të mëdhenj të fabrikave të privatizuara nëpërmjet aferave korruptive. Apo do të thoshte se, nëse Zahir Pajaziti do të mbetej gjallë, do të ishte pronar i Hotel Grand-it.

Bashkëbiseduesi juaj do të vazhdonte me cinizëm duke thënë se, nëse Fehmi Lladrovci, një prej komandantëve të rrallë që fliste në gjuhën angleze kur intervistohej nga mediet e huaja, do të ishte një prej abuzuesve më të mëdhenj të donacioneve ndërkombëtare.

Po ashtu, cinizmi do të përlyente edhe Luan Haradinajn, duke thënë se ai po të ishte gjallë do të përfitonte nga kompanitë që kontrollojnë importin e disa produkteve në Kosovë Sigurisht, nuk do ta lejoni bashkëbiseduesin që ta vazhdonte sarkazmin e tij. Edhe unë do ta bëja të njëjtën. Madje, do t’i mirëkuptoja edhe ata që e shqyrtojnë seriozisht përleshjen fizike me bashkëbiseduesin cinik. Por, pse të gjithë ndihemi të poshtëruar dhe të fyer kur dikush ironizon me heronjtë e UÇK-së?

Përgjigja është shumë e lehtë. Është e vetmja organizatë që meriton respektin e gjithë neve. Nëse nuk do të ishte UÇK-ja, edhe unë nuk do ta kisha mundësinë që ta shkruaja këtë artikull. Secili nga ne kontribuuam që UÇK-ja të dalë fitimtare përballë regjimit të Millosheviqit.

Për këtë arsye, për të gjithë ne ajo mbetet e shenjtë. Për këtë arsye, të gjithë duhet ta mbrojmë UÇK-në kur ajo sulmohet vrazhdë nga ish-anëtarët e saj, të shndërruar në biznesmenë të korruptuar të pasluftës. Duhet ta sqaroj se pse për mua ishte e rëndësishme që ta nisja në këtë formë sarkastike këtë shkrim. Këtë e bëra për të treguar se sa fyese për UÇK-në tingëllon përfshirja e ish-komandantëve të saj në biznese të dyshimta.

Nëse tingëllon fyese për UÇK-në ndërlidhja e heronjve të vdekur me biznese, është ende me fyese që “heronjtë” e gjallë e kanë bërë realitet këtë ironi. Ata e kanë fyer UÇK-në, duke qenë pronar të bizneseve të ngritura nëpërmjet kriminalitetit.

Kjo është arsyeja se ju nuk duhet t’i mbroni verbërisht ish-komandantët e korruptuar të UÇK-së. Ata, komandantët e korruptuar, e kanë fyer UÇK-në duke u përfshirë në biznese e përfitime të mëdha të dyshimta. Janë bërë shumëfish më të pasur sesa ne dhe nuk mërziten që bashkëluftëtarët e tyre të dikurshëm nuk kanë para për t’i mbajtur me bukë fëmijët e tyre.

Disa herë ne si shoqëri kemi diskutuar se kush ishin ata që hodhën baltë përgjatë viteve mbi shenjtërinë e UÇK-së. Ata që kanë kritikuar e kritikojnë komandantët e korruptuar, janë mbrojtësit më të mëdhenj të UÇK-së.

Baltë-hedhësit e vetëm janë ish-komandantët e korruptuar. Të mos keqkuptohemi – nuk po i referohem të gjithë komandantëve të mbetur gjallë. Po i referohem vetëm atyre që krijuan pasuri milionëshe nëpërmjet rrugëve të dyshimta. Po e sqaroj këtë pasi që një status i imi lidhur me këtë temë u keqkuptua nga shumë miq të mi. Shkak për reagim ishte deklarata e deputetit Labinot Tahiri që pohoi se “po të mos ishin komandantët, nuk do të flitej shqip në Kuvend”.

Shkrova se e vërteta do të ishte ndryshe. Në fakt, nuk do flitej shqip në Kuvend, po të mos kishin qenë dëshmorët e heronjtë e UÇK. Por, edhe në mesin e të gjallëve ka komandantë që kanë kontribuar për çlirim.

Por, një pjesë e madhe e tyre që zyrtarisht qenë komandantë gjatë luftës, më të fuqishëm e më dinamikë janë treguar pasluftës. Kanë frikësuar njerëzit duke u thirrur në emër të UÇK-së. Në këtë mënyrë kanë përfituar terren për bizneset e tyre të paligjshme.

Është fyese për UÇK-në kur e sheh që Sami Lushtaku akuzohet se i ka bërë presion drejtorit të një ndërmarrjeje publike që të vendoste në favor të kompanisë “Security Code”. Është fyese për UÇK-në kur e sheh që familja e komandant Rexhep Selimit ka krijuar një perandori biznesi. Është fyese për UÇK-në kur e sheh që familja e drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, ka krijuar një perandori të pafundme biznesi.

Është fyese për UÇK-në kur e sheh se familjarët e komandat Sylejman Selimit janë përfshirë në një privatizim të dyshimtë. Është fyese për UÇK-në kur e sheh se ish-drejtori i Shërbimit Informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe familjarët e tij menaxhojnë një kompani private që ka përfituar në mënyrë të dyshimtë tenderë nga zyra e Hashim Thaçit.

Këta ish-drejtues të UÇK-së nuk janë të vetmit që kanë ngritur biznese të dyshimta. Janë me dhjetëra ish-komandantë të UÇK-së që janë korruptuar deri në fyt dhe kanë mbushur gushën me paratë që u takojnë qytetarëve të Kosovës.

Komandantët e korruptuar të UÇK-së duhet të luftohen nga kjo shoqëri për ditë. Ia kemi borxh UÇK-së së lavdishme këtë betejë. Duhet të rebelohemi kundër tyre, e jo t’i amnistojmë krimet financiare të tyre dhe krimin më të madh që e kanë bërë – baltosjen e UÇK-së.

Lavdinë e UÇK-së nuk duhet ta lëmë në duart e  këtyre abuzuesve, që ata të vendosin se kur duhet reaguar e kur duhet zhvatur në emër të saj. UÇK-ja mbrohet më së miri nga qytetarët. Komandantët e korruptuar nuk e mbrojnë atë. Ata ende dëshirojnë të përfitojnë prej saj.