“Nëse do ta heq taksën pa kushte, Albin Kurti do të jetë të martën në Shtëpinë e Bardhë”

Kryeministri Albin Kurti do të jetë në krye të dialogut i ulur në Shtëpinë e Bardhë të martën në qoftë se vendos ta heqë tarifën ndaj produkteve serbe pa kushte, ka thënë sot Avdullah Hoti, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës.

Hoti, në një intervistë në Televizionin T7, është shprehur se kryeministri Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të martën e javës së ardhshme për të kryesuar dialogun me Serbinë, vetëm në rast se do ta hiqte tarifën ndaj produkteve serbe.

“Nëse hiqet taksa nesër, ne të martën do të jemi në krye të dialogut në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Hoti. “ShBA-të kanë kërkuar zotime dhe zotimet janë të tilla: që Serbia do ta ndalojë menjëherë fushatën e çnjohjeve nëse hiqet taksa”, ka thënë Hoti.

“Unë besoj që ambasadori Grenell e ka fuqinë politike ashtu që e bën presidentin e Serbisë që t’i shkojë atij mbrapa”, u shpreh zëvendëskryeministri Hoti.

Hoti, po ashtu ka kundërshtuar vendimin e kryeministrit Kurti për heqjen e taksës 100 për qind për lëndën e parë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Ky nuk ishte vendim. Vendimet e qeverisë nuk merren në konferenca shtypi. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim për të cilin nuk dakordohen partnerët qeverisës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoti. “Kërkesa e jonë ka qenë e vazhdueshme që ne duhet të ulemi dhe të dakordohemi vazhdimisht si qeveri”.

Kryeministri Kurti ka konfirmuar sot heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të lëndës së parë të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kjo masë e vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e drejtuar prej Ramush Haradinajt, do të fillojë heqja e taksës 100 për qind nga data 15 mars e këtij viti.

E nëse Serbia vazhdon fushatën jomiqësore, atëherë, siç ka thënë sot kryeministri, nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe deri më 15 qershor. /Insajderi.com