“Nëse Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël sipas Lajçakut, shteti i Kosovës është Bibël për qytetarët tanë”

“Nëse Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël sipas Lajçakut, shteti i Kosovës është Bibël për qytetarët tanë”

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se “nëse Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël sipas Lajçakut, atëherë shteti i Kosovës është Bibël për qytetarët e Kosovës”, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në një deklaratë për “Kohën”, duke e cilësuar komentin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si “të pamatur dhe të pavend”.

“Vlerësoj se deklarata se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël që s’mund të ndryshohet është e pamatur dhe e pavend. Nëse Kushtetuta nuk është Bibël sipas Lajçakut, atëherë shteti i Kosovës është Bibël për qytetarët e Kosovës. Asnjë zgjidhje që e bën jofunksional shtetin tonë nuk duhet të pranohet”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se marrëveshja për Asociacionin duhet të bëhet në bazë të zotimeve të vitit 2013.

“Marrëveshjet për Asociacionin përcaktojnë se ai themelohet në bazë të ligjeve të Kosovë. Bile, Marrëveshja për parimet e vitit 2015 parashihte që akti i Qeverisë për themelimin e Asociacionit si dhe çdo ndryshim i Statutit i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo tani nuk vlen, sepse Gjykata ka thënë që Asociacioni themelohet vetëm sipas Marrëveshjes së parë të vitit 2013. E kemi edhe zotimin e Mogherinit në vitin 2015 se pikëpamja e BE-së është se Asociacioni nuk është pushtet i tretë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive”, theksoi tutje ai. /Insajderi.com