
Zëra nga brenda koalicioni PAN kanë nisur të ‘kërcënojnë’ se nëse nuk arrihet të zhbllokohet situata, atëherë ata do të veprojnë ndryshe.
Milaim Zeka, deputet i Nismës për Kosovën ka paralajmëruar se partia e tij do e zhbllokojë Kuvendin më 24 gusht, nëse bllokimi vjen nga ana e PDK-së.
Zeka ka deklaruar se zhbllokimi mund të vijë vetëm nga brenda PAN-it. Kësisoj ai do ta kandidojë veten për kryetar të Kuvendit.
Ndonëse shprehet se ka dëshirë të mbetet vetëm deputet, Zeka e ka quajtur sakrificë të madhe kandidimin e vetvetes për kryetar.
“Unë kam dëshirë të jem vetëm deputet i Kuvendit, por për hir të proceseve, nëse do të bllokohet Kuvendit, unë do të sakrifikojë, për mua është sakrificë shumë e madhe me u bë kryetar i Parlamentit”, ka thënë Zeka për Indeksonline.
“Në qoftë se kam folur te ekstremi, bllokohet Parlamenti nga ana e PDK-së, zhbllokimi i vetëm mund të vijë nga dikush në PAN. Unë kam mundur me e zhblloku situatën që tri seanca dhe me propozu Milaim Zekën – veten time, për kryetar të Kuvendit të Kosovës, por nuk e kam bërë një gjë të tillë”, ka shtuar më tej Zeka.
Ai ka thënë se nëse situata vazhdon e njëjtë, dhe nuk del asnjë deputet nga PAN-i për ta propozuar atë , atëherë Zeka ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë vetë.
“Por nëse bllokohet, dhe nuk gjendet një deputet i PAN-it që do dalë e do më propozojë mua, unë nuk kam rrugë tjetër për zhbllokim, përpos me dalë dhe me e propozu veten”, ka deklaruar ai.
Për Zekën, deri më sot bllokues i Kuvendit është Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të mos prezencës në mbledhjen konsultative.
Por, Zeka ka thënë se, nga dita e enjte nëse PAN-i nuk merr pjesë në seancën konstituive, ky koalicioni do të bëhet bllokuesi.
Andaj, Zeka ka siguruar prezencën e Nismës në seancën e së enjtes, që në rast bllokimi kjo parti ta sjellë rrugëdaljen.