Avokati kosovar, Arianit Koci, thotë se po të punonte policia si duhej, vrasja e Albert Krasniqit do të evitohej, transmeton Insajderi.
Sipas tij, kështu do të ndodhte meqë Alberti tani do të ishte në paraburgim pasi që u përfol se ka qenë i kërkuar nga policia për dhunë në familje.
“Jam shumë i pakënaqur me punën e policisë, nëse ka ndodhur dhuna në familje pse mos me arrestu atë. Nëse policia do të punonte si duhej kjo do të evitohej, ai do të ishte në paraburgim. Nuk e di nëse Alberti ka qenë në Prishtinë, unë nuk e kam parë kohën e fundit atë. Ai mund të mbyllet në një podrum dhe policia të mos ta gjej. Por nëse ka qenë në Prishtinë e nuk e kanë arrestuar, është shumë keq”, ka deklaruar ai në “Frontal” të T7.
Koci ka thënë se me një hetim serioz mund të kuptohet nëse vrasja ka qenë aksidentale ose jo.
“Viktima ka një precedent penal. Ka indikacione që ka qenë problematik, por duhet të shihet a ka qenë aksident apo si ka ndodhur”, shtoi ai.
Albert Krasniqi është vrarë dje rreth orës 17:00 nga babai i tij Skender Krasniqi. Familjarët thonë se vrasja ka qenë aksidentale. /Insajderi.com