“Nëse qytetarët respektojnë rekomandimet, nga maji mund të ketë masa më të lehta”

“Nëse qytetarët respektojnë rekomandimet, nga maji mund të ketë masa më të lehta”

Shefja e Emergjencave në Zyrën e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, ka vlerësuar se situata me Covid-19 po menaxhohet shumë mirë në Kosovë.

“Duke u bazuar në faktin e situatës aktuale, kapaciteteve që ka Kosova dhe nëse shkojmë sipas vlerësimit të tetë shtyllave të OBSH-së mund të themi lirisht se situata është duke u menaxhuar jashtëzakonisht mirë dhe me një përkushtim shumë të lartë”.

“Mirëpo, për të arritur deri te suksesi i dëshiruar dhe objektivat është  shumë e  mirëseardhur dhe e dëshirueshme bashkëpunimi i qytetarëve”.

Humolli në Klan Kosova ka thënë se pritet rritje e numrit të rasteve me koronavirus gjatë javës së ardhshme, dhe pastaj duhet të ketë rënie graduale të numrit të rasteve.

“Jemi mesi i muajit prill dhe në javën e ardhshme pritet që të rriten rastet,  sepse kjo është natyra e sëmundjes. Pastaj, gradualisht duhet të kemi rënie të rasteve. Bashkëpunimi dhe dëgjueshmëria e qytetarëve  mbi distancimin fizik është e domosdoshme”.

Ajo është shprehur e bindur se Kosova mund ta menaxhojë situatën edhe nëse ka rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve.

Por, cili është roli i OBSH-së në Kosovë në këtë kohë pandemie?

“OBSH-ja e ka rolin profesional, këshillëdhënës dhe mbështetës në të gjitha aspektet. Në radhë të parë është profesional dhe këshillëdhënës, më pas bën koordinimin e të gjithë partnerëve ndërkombëtarë sa i përket donacioneve dhe blerjes së pajisjeve të ndryshme”.

Ajo ka treguar edhe se kur pritet që të vijnë pajisjet që janë të nevojshme për analizat për Covid-19 që janë donacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Së shpejti, besoj që brenda javës së ardhshme, vjen aparati për estrahim të viruseve. Është aparat automatik që shpejton punën e përgatitjes së mostrave për analizë. Kurse aparati Real Time PCR, që janë tre plus, besoj që brenda muajit maj do të jenë në Kosovë”.

A po bëhen mjaftueshëm teste për Covid-19 në Kosovë, sipas Isme Humollit?

“Nuk ka Kosova për momentin dhe jam e bindur se nuk do të ketë asnjëherë teste të mjaftueshme për ta rritur në atë masë të lartë numrin e testeve brenda ditës, për shkak se tregu është i mbingarkuar për shkak  të numrit të lartë të kërkesave”.

“Po bëjmë përpjekje së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në dhe agjencionet e tjera të Kombeve të Bashkuara që Kosova të mos mbetet pa teste, por asnjëherë nuk do ta arrijë maksimumin e testeve të dëshiruara, për shkak se varet nga tregu ndërkombëtar”.

Ajo ka thënë se nuk beson në teoritë konspirative se virusi është krijim artificial.

“Unë kam qenë shume e re kur ka filluar çështja e HIV-it, po e njëjta është folur edhe në atë kohë. Historia e mjekësisë njihet me paraqitjen e shkaktarëve të rinj të sëmundjeve ngjitëse”.

“Koronavirusi është një virus i ri i cili është në fakt me prejardhje prej lakuriqëve – që nuk është vërtetuar akoma – por, teorive konspirative nuk është mirë t’ua mbajmë anën për shkak të dëmeve kolaterale”.

“Historia e mjekësisë njihet dhe do të njihet edhe në të ardhmen me shkaktarë të rinj të sëmundjeve ngjitëse”.

Kur mund të presim dalje nga kjo situatë?

“Ne veç jemi të lirë me restrikcione, duhet të pajtohemi me këtë fakt dhe t’i mbështesim institucionet e Kosovës dhe të gjithë ata që janë duke bërë përpjekje për ta menaxhuar situatën”.

“Nëse qytetarët e Kosovës respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, atëherë nga mesi i muajit maj do të fillojmë me masa më të lehta të restrikcionit. Por, ashtu si po shkon situata është pak problem”.