Nëse situata me Covid-19 do të jetë e qetë, paralajmërohet kthimi i studentëve në objektet universitare

Nëse situata me Covid-19 do të jetë e qetë, paralajmërohet kthimi i studentëve në objektet universitare

Pas gati një viti, studentët mund të kthehen në fakultete për mbajtjen e ligjëratave. Një vendim i tillë, sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, do të merret nëse situata me pandeminë vazhdon të jetë e qetë, njofton Insajderi.

Zemaj gjate një prononcimi për KOHËN, është shprehur se për këtë çështje është duke u koordinuar me ministrin në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj.

“Nëse e kemi këtë situatë relativisht të qetë pandemike, në koordinim me ministrin e Arsimit do të lejohen që studentët t’i zhvillojnë ligjëratat në fakultete sipas manualit për parandalimin dhe përhapjen e pandemisë COVID-19. Pjesa tjetër e organizimit dhe kufizimit u takon rektorateve dhe të përgatiten sipas hapësirave që mund të ofrojnë sipas manualit me objektet universitare”, thuhet në përgjigjen e Zemajt.

Ndërkohë, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se cilido që të jetë vendimi i ri i Qeverisë, do të zbatohet.

Gjithashti, krahas kësaj, studentët ka disa javë që kanë nisur një peticion për kthimin në fakultete me arsyetimin se ligjëratat online nuk po kanë efekt.

Sipas nënkryetarit të Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, studentët presin që gjatë kësaj jave të marrin përgjigje pozitive nga Qeveria./Insajderi.com