Vaksina po shihet si opsioni i vetëm për ta zvogëluar numrin e të prekurve me Covid-19 nga profesionistët shëndetësor.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për ta tejkaluar pandeminë.
Sipas tij, nëse arrihet imunizim masiv, atëherë mund të kalohet më lehtë vala e katërt e COVID-19, e cila pritet të ndodh në fillim të vjeshtës.
Lenjani tutje ka thënë se vaksinat mund të kenë ndikim në variante të reja.
“Të gjithë qytetarët duhet ta kenë parasysh se vaksinimi duhet të vazhdojë deri në personin e fundit. Ne si qytetarë të Kosovës e marrim vaksinën për gripin sezonal për çdo vit. Andaj nuk duhet të hezitojmë dhe çdo vaksinë e cila aplikohet mund të japë efekte anësore.
Prandaj vaksinat ekzistojnë në Kosovë dhe apeloj te qytetarët të vaksinohen. Në të kundërtën siç po planifikojnë për valën e katërt, nëse i kemi qytetarët e vaksinuar edhe sëmundja kalohet më lehtë. Edhe në variante të reja vaksinat mund të kenë ndikim në çrrënjosjen e këtij virusi”, ka thënë Lenjani.
Edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka thënë se e vetmja mënyrë për ta zvogëluar dhe penguar përhapjen e pandemisë COVID-19 është vaksinimi.
“Andaj duhet të jepet një mesazh i qartë të gjithë popullatës tonë që vaksinimi nuk shkakton asnjë problem, asnjë komplikim dhe asnjë efekt negativ. Ju sugjeroj të gjithëve që të vaksinohen”, ka thënë Ismaili.
Megjithatë, drejtuesi i Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, Besim Kodra, ka theksuar se duhet të ketë fushata më të gjera vetëdijesuese, në mënyrë që qytetarët të shohin se vaksinimi është e vetmja formë për të dalë nga kjo gjendje.
“Në bazë të dhënave ka një rritje të fluksit të pacientëve ndonëse jo shumë të madh. Për shkak të ndryshimit të temperaturave kanë ndikim edhe në shëndet. Unë mendoj se duhet të ketë fushata më të gjera vetëdijësuese.
Është hapur edhe programi për pacientë ose qytetar që janë mbi moshën 18 vjeçare. Në mënyrë që pacientët me pa se vaksinimi është e vetmja formë qysh ne duhet të dalim nga kjo gjendje. Institucionet duhet të gjejnë forma të komunikimit me qytetar. Është e vetmja formë vaksinimi masiv që të dalim nga kjo gjendje”, ka thënë Kodra.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar 11,546 persona. Sipas këtyre të dhënave, numri total i të vaksinuarve është 305,991. Prej kësaj shifre, 128,069 janë të vaksinuar me dozën e parë ndërkaq 88,961 me dozën e dytë.
Më 13 korrik, Ministria ka bërë të ditur se për vaksinim tani mund të aplikojnë edhe qytetarët mbi moshën 18 vjeç./Insajderi.com