fbpx

Nesër nis rigjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Nesër nis rigjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Festat e fundvitit 2015 kishin qenë të tmerrshme për familjen Pajazitaj nga Strellci i Deçanit.

Vajza e tyre Donjeta ishte nisur nga shtëpia për në punë dhe për gjashtë javë familja e saj nuk kishte asnjë informacion për të, derisa një ditë ishte gjetur e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Për vrasjen e Donjetës Prokuroria drejtoi gishtin akuzues drejt kushëririt, Naser Pajazitaj

Sipas Prokurorisë, derisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, Naser Pajazitaj kishte ndaluar me makinë dhe e kishte marrë me vete dhe pasi kishin arritur te “Kroni i Lajthisë”, me dy të shtëna në kokë e kishte privuar nga jeta viktimën, dhe me qëllim që të humbte gjurmët e kishte mbuluar me disa dru, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Për këto akuza, pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn.

Me vendimin e Gjykatës në Pejë nuk është pajtuar Gjykata e Apelit, e cila pas vlerësimit të ankesës së Prokurorisë, ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës e ka vlerësuar gabimisht të vërteten.

“Gjykata e Pejës nuk ka arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike sepse ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, vajzës së të akuzuarit e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më qëllim që të eliminohen këto të meta Apeli kërkon që lënda të gjykohet edhe një herë.

Naser Pajazitaj pritet që nesër edhe një herë të dalë para Gjykatës Themelore në Pejë, për t’u përballur me akuzat për vrasjen e kushërirës së tij.

Për këtë vrasje ai ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit. /Kallxo.com