Nesër nis vaksinimi i personelit shëndetësor në Komunën e Pejës

Nesër nis vaksinimi i personelit shëndetësor në Komunën e Pejës

Vaksinimi i personelit shëndetësor në Pejë, pritet të fillojë nga ora 07:00 e mëngjesit të së premtes, njofton Insajderi.

Tashmë një mijë vaksina anti-COVID kanë arritur në këtë komunë, ku janë bërë të gjitha parapërgatitjet për vaksinimin e personelit shëndetësor, numri i profesionistëve të të cilëve është rreth një mijë.

Drejtori i Shëndetësisë Petrit Loci, ka thënë për Gazetën Online Insajderi se sot janë pranuar një mijë vaksina të AstraZenecas për të filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë në Spitalin e Përgjithshëm, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe njësitë tjera.

“Komuna e Pejës sot ka pranuar sasinë prej 1000 vaksinave Astra Zeneca për të filluar vaksinimin e puntorëve shëndetësorë të Spitalit të Përgjithshëm, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe gjithë njësitë e saj, Qendrën e Shëndetit Mendor, degën Rajonale të IKSHP-së”, tha ai.

“Vaksinimi fillon nesër në ora 07:00”, shtoi Loci për redaksinë.

Më 28 mars në Kosovë kanë arritur 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca si donacion nga COVAX. /Insajderi.com