Agim Veliu flet për kolaicionin me VV-në një ditë para seancës

Agim Veliu flet për kolaicionin me VV-në një ditë para seancës

Nesër pritet të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk kanë një marrëveshje.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliun ku ka pyetur se a pritet të mbahet ndonjë takim në mes të liderit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, ai është shprehur se nuk e din.

“Nuk e di, nuk e di. Dy kryetarët janë në kontakt, ata i kanë kontaktet e rregullta unë besoj, kanë komunikim dhe kurdo që ata e vlerësojnë që mund të takohen, ata mund të takohen, i kanë autorizimet që të takohen çoftë veç e veç, çoftë me ekipet punuese, qysh do që e kërkon nevoja dhe janë mundësit”, ka thënë Veliu për Insajderin.

Gazeta Insajderi po ashtu ka kontaktuar edhe me deputeten e zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu që nga dita e djeshme se a do t’i bëjë ftesë Kurti Mustafës për një takim pasi që kryetari i LDK-së deklaroi se pret një ftesë nga Kurti për një takim të radhës, ajo nuk ka qenë e qasshme për asnjë moment.

Po ashtu edhe në mëngjesin  sotëm Insajderi ka pyetur zyrën për informim të VV-së, se a do të ketë takim gjatë ditës së sotme, Kurti Mustafa, ata nuk kanë dhënë deri më tani asnjë përgigje.

Kryesia e Kuvendit ka konfirmuar se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet nesër prej orës 15:00. /Insajderi.com