Nesër vazhdon dëshmia e gazetarit kosovar në gjykimin e Haradinajt e Gucatit

Nesër vazhdon dëshmia e gazetarit kosovar në gjykimin e Haradinajt e Gucatit

Dëshmia e gazetarit kosovar, Halil Berisha, në Gjykatën Speciale do të vazhdojë nesër.

Ai është ftuar të dëshmojë për rastin ku po akuzohen dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradianj.

Berisha, ka thënë se në Hagë është dërguar pa dëshirën e tij.

Prokuroria ka pyetur dëshmitarin, i cili është gazetar nga Kosova, nëse është kujdesur për të ruajtur konfidencialitetin e materialeve që kishte marrë nga OVL e UÇK-së.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj gjatë seancave gjyqësore.

Gazetari, Halil Berisha, ka deklaruar se shkrimet të cilave po iu referohet Prokuroria, kanë qenë të bazuara në dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa janë redaktuar nga redaktorët e mediumit ku ai ka punuar.

“Ne kemi kontaktuar edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin rreth këtyre dokumenteve”, ka thënë ai.

Po ashtu theksoi se më vonë janë kontaktuar nga punonjës të Speciales të cilët kishin ardhur në zyrën e mediumit ku ai ka punuar dhe pas rishikimit të dokumenteve, të njëjtat i kanë marrë me vete.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar në shtator të vitit të kaluar.

Kjo pasi Specialja i akuzon për publikimin e disa dokumenteve konfidenciale.

Ato dokumente në zyrën e OVL-UÇK-së kishin arritur në mënyrë enigmatike. /Insajderi.com