Neuropsikiatri Rexhepi: Problemi më i madh në kohë të pandemisë është frika dhe ankthi

Neuropsikiatri Rexhepi: Problemi më i madh në kohë të pandemisë është frika dhe ankthi

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, i cili është edhe neuropsikiatër thotë se në kohën e pandemisë pacientët kanë filluar të ri-acarohen.

Sipas tij, pandemia COVID-19 ka sjellë ankth dhe çrregullime të tjera në shëndetin mendor te një numër i madh i njerëzve, ndërsa Rexhepi thotë se pas kalimit të pandemisë do t’i vijë radha shëndetit mendor që do të ketë fluks të madh të pacientëve.

“Institucionet tona ende nuk e kanë kuptuar me seriozitet të plotë çështjen e shëndetit mendor dhe COVID-19. Prej rasteve të cilat i kam, njerëzit të cilët e kanë kaluar sëmundjen janë shumë të traumatizuar. Po flasim për një traumë akute sepse ende është pandemia, ende është sëmundja duke u zhvilluar, ende rreziku është shumë i madh për ata të cilët nuk kanë qenë të infektuar. Sa i përket pacientëve të qendrës ne merremi me rastet e të sëmurëve kronikë psikiatrikë por e vërej që kohën e fundit kanë nisë me u riacaruar pacientët”, thotë ai.

Neuropsikuatri Rexhepi tregon se numri i pacientëve që marrin shërbime në këtë qendër në kohën e pandemisë është rritur, dhe të njëjtit po tregojnë shenja të një ankthi të shtuar, meqë sipas tij, problem më i madh në këtë kohë është frika.

“Në përgjithësi numri i klientëve tanë, acarimi është në rritje e sipër, edhe klientët e tjerë të cilët nuk janë të sëmurë kronikë psikiatrikë që marrin shërbime në qendër, edhe pse jemi shumë të kufizuar për t’ju ofruar shërbime, po tregojnë shenja të një ankthi të shtuar shumë, mirëpo problemi më i madh është frika. Frika është tek të dy palët, edhe tek ata që e kanë kaluar sëmundjen, posaçërisht nëse e kanë pasur një simptomatologji më të vështirë, nëse kanë pas problem me frymëmarrje ose kanë qenë në oksigjenoterapi është një frikë shumë e madhe. Edhe pjesa tjetër të cilët ende nuk e kanë kaluar është sikurse ankth i pritjes, sikurse je duke pritur kur po të vjen radha ty”, thotë ai.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi porositë që personat të cilët fillojnë të ndjenjën çrregullime të ndryshme si ankth, çrregullim i gjumit, ëndrra të rënda e shqetësime të tjera, të kërkojnë ndihmë profesionale. /Insajderi.com