
Janë paraparë tri skenare për mbajtjen e mësimit qysh nga një shtatori dhe për të tre nevojiten mbi pesë milionë euro, njofton Insajderi.
Skenarët parashikojnë kthimin në shkolla duke respektuar masat, mësimi i kombinuar në shkolla dhe online, si dhe mësimi online përmes platformës e-mësimi.
Megjithatë, skenari më i pëlqyer i Ministrisë së Arsimit është ai i mësimit të kombinuar duke respektuar të gjitha rekomandimet, teksa bordi këshill-dhënës ka rekomanduar që parashkollorët dhe nxënësit e klasave një deri në pesë të vazhdojnë mësimin nëpër shkolla.
Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Ramë Likaj, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ai ka kërkuar mbështetje për buxhet, meqë sipas tij gjatë këtij viti ka pasur shkurtim prej 11 milionë euro.
“Ne besojmë që e kemi ndarë një buxhet, komunat e kanë një buxhet, donatorët na kanë premtuar një buxhet por e kemi edhe përkrahjen edhe nga qeveria. Shpresoj që do të gjenden modalitetet që shuma minimale të sigurohet”, ka thënë Likaj./Insajderi.com