Gazeta prestigjioze amerikane, New York Times ka shkruar se anulimi, apo shtyrja e takimit në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Uashington është një goditje për politiken e jashtme të Donald Trump, njofton Insajderi.
NYT shkruan se me iniciativa për të stabilizuar Ballkanin, Administrata e Trump shpresonte se do të mund t’i rriste kredencialet e veta në politikën e jashtme, çka do të mund të shfrytëzohej më pas në këtë vit zgjedhor.
Por, një plan i tillë është prishur, për shkak të aktakuzës që erdhi nga Gjykata Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku akuzohej për krime lufte, saktësisht për vdekjen e 100 personave.
Kjo e ka detyruar Thaçin ta anulojë takimin dhe menjëherë pas tij, takimi është anuluar edhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Megjithatë, është thënë se kjo është vetëm e përkohshme dhe se do të vendoset një datë tjetër për këtë takim. /Insajderi.com