Nga 200 mijë euro për tri vjet janë paraparë për autostradën e Dukagjinit

Nga 200 mijë euro për tri vjet janë paraparë për autostradën e Dukagjinit

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, apo siç njihet ndryshe “Autostrada e Dukagjinit” është paraqitur në Projektligjin e buxhetit për vitin 2021, transmeton Insajderi.

Për këtë autostradë, në Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë paraparë 200 mijë euro, kurse nga 200 mijë euro të tjera janë paraparë edhe për vitin 2022 dhe 2023, që në përgjithësi i bie 600 mijë euro, ndërkaq projektligji për vitin 2021 është miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të muajit tetor.

Përqendrimi i fondeve në projekte të mëdha publike, kryesisht infrastrukturë rrugore, është vendim i gabuar në këtë periudhë krize, thotë Skënder Krasniqi, drejtor në Odën e Afarizmit të Kosovës, duke shtruar se të hyrat buxhetore gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm mund të zvogëlohen.

“Qeveria duhet të përkrahë bizneset, prodhimin vendor, eksportin sepse kemi të bëjmë me një gjendje jashtëzakonisht të keqe në raport eksport-import. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që qeveria prioritet të ketë përkrahjen e bizneseve për tejkalimin e krizës, në mënyrë që të Kosova mos të futet edhe në një katastrofë edhe më të rëndë të zhvillimit ekonomik sepse efektet e pandemisë do barten edhe vitin tjetër”, tha Krasniqi për REL.

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, ishte projektuar nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Kjo autostradë llogaritet si një ndër më të gjatat në territorin e Kosovës, me 91 kilometra gjatësi. /Insajderi.com