Nga Beogradi reagojnë për bazën ushtarake të FSK-së në Mitrovicë

Nga Beogradi reagojnë për bazën ushtarake të FSK-së në Mitrovicë

Kodra e Cërrnushës, në Mitrovicë tashmë i takon Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën pritet të krijohet një bazë ushtarake për kryerjen e ushtrimeve dhe të gjitha stërvitjet ushtarake.

Një vendim të tillë të cilin e ka miratuar Kuvendi Komunal në Mitrovicë, nga Serbia po e shohin si provokim dhe tendencë për t’i frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë, shkruan telegraf.rs, transmeton Insajderi.

Sipas profesorit serb të Fakultetit të Sigurisë në Beograd, Zoran Dragisiç, me këtë vendim autoritetet kosovare po refuzojnë dialogun dhe po bëjnë presion mbi serbët që jetojnë në Kosovë.

“Ndërtimi i një baze ushtarake në pjesën jugore të Mitrovicës mund të vlerësohet si një provokim tjetër nga autoritetet në Prishtinë, sepse Kosova nuk ka të drejtë për forcat e armatosura në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare”.

“Unë e perceptoj faktin që baza më e madhe e FSK-së po ndërtohet në Mitrovicë, menjëherë pranë territorit ku jetojnë shumica e serbëve, si një lloj frikësimi dhe presioni ndaj serbëve në Kosovë . Nëse i kemi parasysh të gjitha deklaratat që janë dëgjuar kohët e fundit nga Prishtina, të gjitha këto së bashku futen në mozaikun e një sjelljeje absolutisht agresive, refuzimit të dialogut dhe presionit të vazhdueshëm mbi popullatën e mbetur serbe që jeton në Kosovë”, ka thënë Dragisiç.

Profesori i Fakultetit të Sigurisë tutje ka shtuar se nuk ka asnjë justifikim për ndërtimin e bazës së FSK-së në Mirtovica e Jugut./Insajderi.com