Komuna e Prishtinës ka njoftuar së nga nesër qytetarët e Prishtinës do të mund të furnizohen me insulinë në Barnatoren kryesore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të kryeqytetit, shkruan Insajderi.
Në njoftimin e bërë nga Komuna e Prishtinës thuhet se, qytetarët do të mund të furnizohen nga ora 11:00.
“Komuna e Prishtinës ka kënaqësinë të ju njoftoj se që nga nesër me datë 7 korrik 2021, qytetarët e Prishtinës do të mund të furnizohen me Insulinë. Furnizimi mund të bëhet vetëm në Barnatoren kryesore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00. Komuna e Prishtinës është ndër të parat që ka arritur furnizimin me Insulinë për banorët e saj”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje thuhet se “kontrata për furnizimin me Insulinë është realizuar nga Komuna, ndërsa sasia e siguruar pritet të mbulojë nevojat e të gjithë banorëve të Prishtinës për pesë muajt e ardhshëm”.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë përballur me mungesën e insulinave, ku për këtë janë detyruar të shkojnë jashtë vendi për tu furnizuar me to. /Insajderi.com