Nga ilaçi për diabet e deri tek veshjet e përdorura – pazari në Prishtinë ku copëtohen pulat nën tingujt e këngëve të Labit

Nga ilaçi për diabet e deri tek veshjet e përdorura – pazari në Prishtinë ku copëtohen pulat nën tingujt e këngëve të Labit

Mandarina, dardha, djathë, qebapë dhe suxhuk të pjekur në skarë, këpucë të përdorua, shtretër gjumi, djep për fëmijë, zinxhir, pajisje të ndryshme mekanike e deri tek veturat dhe CD-jat me këngë të deputetit të Kuvendit të Kosovës, gjenden në tregun e njohur si ‘pazari i kerreve’ në Prishtinë.

Në këtë treg shitet edhe qymyri, lëndë kjo që muaj më parë është ndaluar me ligjet e Kosovës. ‘Pazari i kerreve’ është i mbuluar edhe nga gjaku.

Aty prehen dhe copëtohen pulat në masë të madhe. Madje, shumë kush e viziton këtë treg vetëm për furnizimin me pula.

Gjaku dhe mbetjet nga prerjet e pulave, të shtynë të mendosh që nuk je në ‘pazar të kerreve’. Të krijohet përshtypja që je në një thertore, ku prehen kafshët pa pushim.

Pavarësisht gjendjes dhe kushteve ku kryhet therja e shpezëve, qytetarë nga shumë qytete të Kosovës furnizohen me mish pule e qure nga ky treg. Tregtari që ka nxjerrë në shitje shpezët, jo vetëm që i shet, por afër vetes ka edhe dy kasapë që janë të gatshëm t’i copëtojnë ato, me kërkesë të klientëve, e gjithë kjo në skaj të rrugës.

Kamera e Insajderit ka kapur disa prej momenteve kur kasapët kanë qenë duke prerë në rrugë pula. Ata jo vetëm që heqin kokën, por edhe i copëtojnë për t’ua futur në qese klientëve.

E disa persona u ankuan për këtë çështje. Ata thanë prapa kamerave se mbetjet e pulave që janë prerë javën e kaluar vazhdojnë të qëndrojnë aty për shkak se sipas tyre, shitësit nuk i largojnë ato.

“Prej javës së kaluar i kanë lanë qaty. Veç i presin i shesin edhe ato çka mbesin ato gjërat krejt qaty i lajnë”, ka deklaruar një qytetar për Insajderin.

Megjithatë kasapët mohojnë se i lënë, mbetjet në rrugë. Ata thonë se i dërgojnë diku tjetër pavarësisht se mbetjet gjenden ende aty.

“Jo jo ne nuk i lëmë këtu, gjithmonë i largojmë”, thotë njëri prej kasapëve prapa kamerave të Insajderit.

Me gjithë situatën, Komuna e Prishtinës nuk ka qenë e gatshme të thotë asnjë fjalë. Pavarësisht pritjes prej gati një jave, Komuna e Prishtinës është treguar e ngurrët për të folur për këtë çështje.

Megjithatë sipas Agjencisë së Ushqimit të Veterinarisë, përgjegjëse për gjendjen e tregjeve janë komunat, në këtë rast Komuna e Prishtinës.

“Tregjet brenda qyteteve kontrollohen dhe operojnë me leje të komunave. Secila komunë për momentin ka inspektor të kontrollit të ushqimit. Për mënyrën e tregtimit ne këto tregje janë përgjegjëse institucionet e nivelit lokal”, thuhet në sqarimin e AUV-it.

Megjithatë situata bëhet më serioze kur dhjetëra kamion janë parkuar dhe shesin produkte që në vendin tonë janë të ndaluar..

Shitësit e qymyrit në këtë treg nuk fshihen aspak e as nuk kanë drojë nga kamera e mediumit. Ata kërkojnë t’u sheshin qymyrin edhe ekipit të Gazetës Online Insajderi, madje thonë se janë në gjendje të japin me çmim më të ulët.

VIDEO

Mustafë  Hyseni, inspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Insajderin ka deklaruar se ‘pazari i kerreve’ inspektohet vazhdimisht. Ka thënë se janë konfiskuar 14 kamionë me thëngjill që ishin përgatitur për shitje.

Po ashtu u është tërhequr vërejtja e fundit që herën tjetër do t’u konfiskohet kamionët.

“Inspektorati i MMPH-së në bashkëveprim me Inspektoratin e KPMM-së  përmes një plani te veprimit kanë  bërë kontrolla inspektive në komunat; Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë, Vushtrri dhe Drenas, me qëllim të parandalimit të shitjes ilegale të  thëngjillit. Pra edhe tregu i automjeteve është inspektuar. Sa i përket shqiptimit të gjobave, ju njoftojmë se  janë konfiskuar 14 kamionë me thëngjill në shitje ilegale dhe  thëngjilli është dërguar në TC Kosova A, kurse pronarëve  ju ka tërhequr vërejtja se nëse edhe njëherë hasen duke shitur ilegalisht thëngjill do të ju konfiskohet paisja-kamioni, si dhe rasti do te procedohet sipas ligjit e që njëjta nuk është hasur në teren”, thuhet në deklaratën e tij për Insajderin.

Deputetët në ‘pazarin e kerreve’

Në tregun ku shiten edhe gjërat ilegale, gjenden edhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës. Në ditën kur ky treg u vizitua nga Insajderi ishte edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani i cili duket se ishte i interesuar për produktet e këtij tregu.

Por, përveç tij në këtë treg gjendej edhe një deputet tjetër i Kuvendit të Kosovës. Dikush kishte marrë këngët e Labinot Tahirit – Labit duke pretenduar që t’i shes ato.

Megjithatë një qytetar që kishte vizituar për herë të parë këtë treg u shpreh i zhgënjyer. Ai tha për Insajderin se nuk beson se do ta vizitojë përsëri këtë treg. Thotë se nuk ka hapësirë për të gjithë qytetarët dhe infrastruktura është shumë e dobët sipas tij.

“Kurrqysh hiç nuk mu duk, gjithë ky popull s’po kemi ka me shku. Veç po tutna se ku kam me u rrëzua. Nuk besoj që kam me ardh më ndonjëherë”, u deklarua ai.

Faik Berisha, një qytetar tjetër për Insajderin thotë se në viziton këtë treg gati rregullisht. Por thekson se vizitat nuk i bënë për të blerë produktet që shtrohen në këtë treg. Thotë se më shumë viziton për shkak të të afërmeve.

“E kam një dajë vi ma shpesh prandaj. Për produkte nuk di çka me të thanë nuk më doket edhe aq për atë arsyeje nuk blej edhe aq. Produkte ushqimore nuk blej. Më pëlqejnë ma shumë këto qendrat tregtare. Unë dal këndej për qejf si shëtitje, por më shumë për dajën”, ka deklaruar ai.

Blerjen e produkteve ushqimore nga “pazari i kerreve”, nuk e preferon as Muharrem  Shishani. Thotë se produktet ushqimore i blen në dyqane, duke hedhur dyshime në cilësinë e tyre.

“Ndonjëherë edhe gjejë produktet që i kërkojë ndonjëherë edhe jo. Më shumë këtu dal për produkte shtëpiake. Jo produkte ushqimore nuk blej, ka shitore”, ka deklaruar ai.

Përderisa shumë kë ky treg mbetët vetëm për argëtim, për Gent Manxhollin tash e 12 vite mbetet një vend i punës. Ai thotë se për çdo të diel nga fshati Mikushnic e Skenderajt, shkon në Prishtinë për të shitur produktet që i kultivon vetë ai.

Thotë se më shumë se 80% të produkteve që i shet i prodhon vet në Skenderaj.

“Unë dal diku qe 12 vite ketë rregullisht pothuajse, ja vlen me dalë. Zakonisht kemi myshteri edhe për shkak të prodhimeve që janë vendore me thënë ashtu 80% i bëjë vet janë që kultivohen nga unë”.

“Përveç disa gjërave pak me thënë kështu me të tjerat merrem vet. Veç mjaltin që e marrim prej dikujt tjetër me të tjerat punojë vetë”, ka deklaruar ai për  Insajderin.

Edhe për Milaim Dugollin, “pazari i kerreve” është kthyer në një vend pune. Ai për çdo të diel tash e një vit sjellë produktet e djathit për t’i shitur.

“Me ketë punë merrem moti, shes djathë dhie, djathë lopëve, djathë dhie.  Këta djathë vjen prej Llapashtice dhe e kultivojmë vetë”.

“Qetu në pazar në Prishtinë dhe kështu. Diku që 1 vit shesim djathë dhe merremi me shitje. Ja vlen. Klientët që blejnë njëherë blejnë gjithmonë këtu”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht gjendjes dhe cilësive të produkteve ‘pazari i kerreve’ vazhdon të funksionoj çdo të diel nga orët e mëngjesit deri në orët e mesditës. Për shkak të numrit të madh të vizitorëve vërehen rregullisht kolonë në afërsi të këtij tregu çdo të diel./Insajderi.com

Videon mund ta shikoni duke klikuar këtu