Nga kërkesa për shkarkim tek avancimi i Shpend Maxhunit

Nga kërkesa për shkarkim tek avancimi i Shpend Maxhunit

Për deportimin misterioz të gjashtë gylenistëve në Turqi, Driton Gashi ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), ishte shkarkuar nga posti i tij. Për të njëjtin rast ishte shkarkuar edhe ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili i ishte bindur kërkesës së Haradinajt, për të dhënë dorëheqje.

Për të njëjtin rast, ndonëse jo nga kryeministri ishte kërkuar edhe shkarkimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ai përveç që i shpëtoi shkarkimin u emërua, pikërisht në postin e drejtorit të AKI-së, për ta zëvendësuar Gashin, raporton Insajderi.

Presidenti, Hashin Thaçi së bashku me kryeministrin Haradinaj kanë emëruar sot Maxhunin drejtor të AKI-së

“Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, morën vendim për emërimin e z. Shpend Maxhuni, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Për Haxhi Shalën, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkarkimi i Maxhunit kishte qenë shumë afër, ai thoshte se nëse nuk shkarkohej deri më 3 prill Maxhuni do të ftohej të raportonte për rastin e gylenistëve.

“Javën tjetër ne duhet ta kemi në raportim Shpend Maxhunin që të raportojë lidhur me zinxhirin e urdhërdhënësve brenda policisë. Nëse ai deri të martën [3 prill] nuk shkarkohet, ne të martën eventualisht të mërkurën do ta kemi në raportim”, thoshte Shala.

Për rastin e gylenistëve deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, kishte shprehur habinë për rolin e Maxhunit, i cili sipas tij kishte më shumë forcë se ministri i Punëve të Brendshme.

“Drejtori i Policisë po del më i fortë se sa Ministri i Punëve të Brendshme, e që është një paradoks në vete, mirëpo sido që është, ne si komision do të kërkojmë sa më shumë informata rreth këtij rasti. Ne do kërkojmë raportim prej Shpend Maxhunit dhe të gjithë akterëvë për atë çka ka ndodh dhe do e kuptojmë se si ka rrjedhe kjo katrahurë apo mini grusht shtet”, kishte deklaruar Sveçla.

Kërkesën për shkarkim të Maxhunit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, e ka treguar deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj. Ka thënë se Maxhuni duhej të shkarkohej.

“Pse Raporti i Progresit thotë se institucionet e Kosovës janë të kapura. Para dy orëve presidenti së bashku me kryeministri emëron Shpend Maxhunin drejtor të AKI-së, ne kërkonim që Maxhuni të shkarkohet për shkak të përfshirjes së tij në arrestimin e gylenistëve dhe çka ndodhë Thaçi dhe Haradinaj na tregojnë se le që se kemi ndërmend me e ç’kap shtetin por kapja e shtetit po konsolidohet”, ka thënë ai në Kuvend.

Kërkesat e Haradinajt për shkarkimin e drejtorit të AKI-së dhe ministrit të Brendshëm, kishin ardhur pas deportimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi.

Kryeministri deklaronte se për deportimin e shtetasve turq nuk kishte qenë në dije dhe për këtë arsyeja ka kërkuar shkarkimin e Gashit dhe Sefajt.

Gjashtë gylenistët ishin deportuar në mënyrë të paqartë, në një plan sekret të Inteligjencës Kosovare dhe asaj turke. Ata ishin arrestuar në mëngjes dhe pas dy orëve ishin nisur drejtë Turqisë./Insajderi.com