Nga LDK reagojnë për pezullimin e vendimit për “tiketat ngjitëse”: Dorëheqja është e domosdoshme

Nga LDK reagojnë për pezullimin e vendimit për “tiketat ngjitëse”: Dorëheqja është e domosdoshme

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pas pezullimit të vendimit për “tiketat ngjitëse”, që sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, qytetarët do të duhej të paguanin nga pesë euro shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës.

Sipas Halimit, pezullimi i kësaj marrëveshje është bërë për shkak të presionit publik, ndërsa ka shtuar se dorëheqja është e domosdoshme dhe e pamjaftueshme, njofton Insajderi.

“Zgjodhi kompaninë e regjistruar vetëm me tre (3) punëtorë, përcaktoi çmimin për një tiketë që mund të kushtojë vetëm 5 cent dhe në fund pas një presioni publik e anuloi! Dorëheqja është e domosdoshme, por e pamjaftueshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Për këtë kontratë të nënshkruar, opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti, se përmes kësaj takse 4.90 euro dëshirojnë “të krijojnë monopole”.

Por, jo veç opozita parlamentare, edhe Partia Socialdemokrate ishte aktive në kundërshtim. Organizuan aksion simbolik që eskaloi në dhunë e arrestime.

Ndërsa, Qeveria gishtin e ka drejtuar te pushtet e kaluara, duke thënë se vendimi ishte “trashëgimi”./Insajderi.com