Nga nesër fillon dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës anti-COVID

Nga nesër fillon dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës anti-COVID

Nga e enjtja e 9 dhjetorit në Kosovë do të fillojë administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër Coronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vendimi është marrë një ditë më parë në takimin e mbajtur nga komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

Sipas njoftimit, doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë.

Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Ndërsa, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues.

Salla e Vaksinimit, Prishtinë

Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

“Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura”, njofton MSh-ja.

“Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike”, thuhet më tej në komunikatë.

MSh-ja po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19.

“Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19”.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar katër mijë e 19 persona kundër Coronavirusit.

Ndërkaq, 862 mijë e 340 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 767 mijë e 742./Insajderi.com